“Përdori çdo formë për asgjësimin tonë”, Berisha: 2023, viti i përpjekjeve antiligjore dhe banditeske të Ramës

Nga A2 CNN
8 Janar 2024, 18:46 | Politikë

Një betejë që synon çlirimin e Shqipërisë nga diktatura e bandave, krimit dhe drogës.

Kështu e ka cilësuar Sali Berisha aksionin e opozitës dhe prezencën e simpatizantëve demokratë në protestën e radhës, të zhvilluar si çdo pasdite në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku ndodhet shtëpia e tij e ku ai po qëndron duke zbatuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Berisha foli si çdo natë nga ballkoni i banesës, duke bërë një analizë të gjatë të të gjitha përpjekjeve të pushtetit, siç i cilësoi ai për të asgjësuar opozitën në vend në vitin 2023.

Çfarë ishte për Shqipërinë dhe shqiptarët viti 2023? Viti 2023 për çdo shqiptar ishte viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese, banditeske të Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare.  Ishte viti në të cilin Edi Rama me lakejtë e tij në gjykata, pasi i mori logon dhe vulën PD-së, vazhdoi skenarin e tij për të lenë vendin pa opozitë. Në përpjekjen për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, Edi Rama aktivizoi me 14 maj, vrasës serial, liroi nga burgjet elementët më të rrezikshëm të krimit të organizuar.  I solli ata nga jashtë, vendosi qytetet në terrorin e tyre. Përjashtoi nga listat e votimit në qendrat e tyre mbi 1.3 milionë shqiptarë. Hoqi nga fletëvotimi emrin e PD-së, logon e saj dhe kryetarin e saj, Sali Berisha. Përjashtoi të drejtën e opozitës për komisionerë në gjysmën e qendrave të votimit.  Përdori dhjetëra e qindra milionë fonde publike për të blerë fonde dhe influenca.

Por, sipas Berishës pavarësisht të gjitha tentativave dhe formave që Rama përdori për të arritur qëllimin, “opozita ja doli të konfirmohet e pamposhtur”.

Kreu i Rithemelimit po ashtu akuzoi kryeministrin se mobilizoi ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal kundër opozitës dhe Berishës personalisht.

Në revanshin e tij kundër demokracisë, Edi Rama vazhdoi i pandalshëm, i mohoi opozitës deputetëve të saj, të drejtat themelore kushtetuese. E nxori veten mbi kushtetutën, mbi ligjin. Ai nuk pranoi të hetohet për aktet e shëmtuara kriminale, ai nuk pranoi të hetohet për krimet që ka kryer me organizatën e tij kriminale që quhet qeveri. Ai nuk pranoi të hetohet për vjedhjet e mëdha të pasurive publike, për shndërrimin e Durrësit në parajsën e tij dhe të trafikantëve të tij, duke i plaçkitur shqiptarëve në port rreth 4 mln euro tokë dhe pronë publike.  Ai nuk pranoi të hetohet për skandalin më të madh të kohërave, ndërkombëtar, Rama-McGoninal, në të cilin Edi Rama, Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka, funksionuan si një grup kriminal i vërtetë. Në këtë skandal Edi Rama mobilizoi McGonigalin kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare. Në këtë skandal Edi Rama vendosi sistemin e gjobave shumëmilionëshe mbi biznesmenët shqiptarë. Në këtë skandal Edi Rama hoqi e vendosi sikur të ishin të familjes së tij, licencat e naftës pronë publike e shqiptarëve.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos