Komisionet Hetimore ishin molla e sherrit mes maxhorancës dhe opozitës në sesionin e kaluar parlamentar. Pas protestave të deputetëve demokratë në Kuvend, maxhoranca ndërmori nismën ligjore për të ndryshuar ligjin për Komisionet Hetimore, duke theksuar edhe më tej tensionet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Tashmë ligji i miratuar njëanshëm nga Partia Socialiste ndodhet në Presidencë në pritje të dekretit. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi kërkon nga Bajram Begaj kthimin e projektligjit në Kuvend për rishqyrtim duke i listuar dhe arsyet për këtë vendimmarrje.
“Ligji i propozuar dhe miratuar vetëm me votat e socialistëve, ka në vetvete tre qëllime kryesore: (i)ligjërimin e vendimmarrjeve antikushtetuese të deritanishme për rrëzimin e kërkesave të deputetëve të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore; (ii)vendosjen nën kontroll të plotë të mazhorancës të drejtën e deputetëve të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore; dhe (iii) në rast të ngritjes së komisioneve hetimore, pamundësimin e ushtrimit të kontrolli hetimor parlamentar efektiv."
Sipas Bardhit, projektligji i ri nuk reflekton as qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese, arsyeja se përse mazhoranca argumentonte për një vit mbajtjen peng të kërkesave të opozitë për hetime parlamentare.
Gjykata shumë vite më parë e kishte konfirmuar të drejtën Kushtetuese të ngritjes së një komisioni hetimor kur e kërkon një e katërta e deputetëve.
“Ligji vjen në kundërshtim menjë prej qëllimeve kryesore që ka ngritja e një komisioni hetimor të Kuvendit. Konkretisht, komisionet hetimore ngrihen me qëllim njohjen dhe verifikimin enjë fenomeni, një ngjarjeje ose një veprimtarie të caktuar. Pra, në thelb të veprimtarisë së komisioneve hetimore qëndron transparenca për median, opinionin publik dhe qytetarët. Shtimi i rasteve të zhvillimit të mbledhjeve me dyer të mbyllura, disa prej tyre mjaft evazive dhe që lënë vend për interpretim të gjerë, vetëm me votat e mazhorancës, vjen në kundërshtim me parimin e transparencës."
Kreu i deputetëve demokratë thekson gjithashtu se miratimi i projektligjit nuk do të lejojë kontrollin efektiv parlamentar nga ana e pakicës dhe do të minonte çdo mundësi dialogu mes palëve politike në Parlament, për gjetjen e një zgjidhje mbi situatën e krijuar. (A2 Televizion)