Me Sali Berishën nën arrest shtëpie, opozita tashmë ka një fokus të aksionit të saj opozitar, që nuk ka zgjedhje parlamentare me Edi Ramën. Kjo është një deklaratë dhe një retorikë e përdorur nga opozita prej kohësh, por sipas kreut të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, këtë vit “kjo do jetë lufta e PD-së”.
“Do luftojmë që zgjedhjet e 2025 të mos jenë me Ramën kryeministër, të mos jetë në asnjë mënyrë menaxher i këtyre zgjedhjeve”, tha Xhaferri.
Në “Ditarin e mesditës” me gazetaren Denisa Pasholli u ndal edhe te protesta që po zhvillohet në rrugicën e banesës së Sali Berishës. Xhaferri ka zbuluar në A2 CNN se si lindi kjo ide.
“Nisi si një ide e kërkuar nga baza që duan të solidarizohen çdo ditë dhe të japin mesazhe politike në atë rrugicë rezistente, ndërkohë Berisha tregoi se sado ta izolosh, jeta e tij politike do të vazhdojë”, tha Xhaferri.
Ai zbuloi edhe se sa kohë do të vijojë kjo protestë dhe kjo mënyrë e të bërit opozitë.
“Do vazhdojë për aq gjatë se Berisha do të qëndrojë pa të drejtë i izoluar, ajo masë do bjerë shumë shpejtë se është absurde, nuk ka një akuzë, por ka një masë sigurie. Jam i lumtur që qytetarët po reagojnë, se sa do zgjasë do zgjasë për aq kohë sa qytetarët do rrinë aty, jam i bindur që do shtohen dhe padyshim aksioni do mund të marrë dhe rrjedha të tjera”, shtoi ai.
Një koment e ka pasur edhe për Bashën, sipas së cilit është pjesë e regjimit të Edi Ramës, siç ai e quan qeverinë socialiste.
“Bashën nuk e shoh aspak në këtë jetë politike, është pjesë e mozaikut të pushtetit dhe regjimit të Ramës. Këtë duhet të luftojmë, regjimin e Ramës”, deklaroi Xhaferri në A2 CNN.
Për Xhaferrin, PD-ja është e bashkuar, por ndarja po jepet si një skenar i dirigjuar nga Edi Rama. (A2 Televizion)