Avokati Redi Ramaj është shprehur se sfida kryesore e drejtësisë në ditët e sotme, është rritja e standartit profesional dhe personal të gjyqtarëve e prokurorëve.
Komentet Ramaj i bëri në ‘Ditari i Fundjavës’ me gazetarin Erion Dushi në A2 CNN, ku tha se nëse një politikan arrestohet për një çështje të vjetër pas disa vitesh hetime, shkon në burg dhe më pas del i pafajshëm, kjo nuk është drejtësi, pasi sipas tij, aty thjesht bëjnë shembull një person sa për të thënë se drejtësia po funksionon.
Ai shtoi gjithashtu se politika shqiptare ndërhyn dhunshëm në sistemin gjyqësor, përmes presioneve e shantazheve të shumta, që vijnë nga të dy palët.
“Politika ndërhyn dhunshëm në gjyqësor, por ndonjëherë edhe gjyqësori mund ta përdorë faktin që ka diçka në dorë për të goditur elementë të politikës. Nëse besojmë te drejtësia, të gjithë në fund do pajtohemi me vendimin e gjykatës.
Nëse kemi raste që 4-5 vite hetohet dhe caktohen masa sigurimi nga SPAK për politikanë, në një kohë që mund ta hetojë për një vepër të vjetër, e çon në gjykatë, gjykata bën gjyq publik, e shikojnë gjithë qytetarët e mediat dhe më pas jepet një dënim ose pafajësi.
Nëse e arrestojmë politikanin për një vepër penale që nuk është në flagrancë, pra që nuk po kryhet sot, e lëmë disa kohë në burg dhe nesër gjykata i jep pafajësi, çfarë vlere ka ajo pafajësi? Pra nuk po bëjmë drejtësi, por po marrim dikë dhe po e bëjmë shembull për të thënë që kemi ndaluar filan person. Sistemi gjyqësor e ka sfidë këtë, rritja e integritetit personal”, tha Ramaj, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)