Diskutimin e projekt buxhetit për vitin 2024 në platformat online dhe jo fizikisht në Kuvend, Sali Berisha e quan klandestin. Gjatë një takimi me ekspertë ku tregoi qëndrimin e opozitës për projekt buxhetin, Berisha tha se kalimi i buxhetit pa diskutime është në kundërshtim me ligjin.
“Ky buxhet është i pari në historinë e këtij vendi, që kalon në mënyrë klandestine, pa asnjë takim me qytetarët, grupet e interesit, që miratohet në klube me tava bakllavaje, me pretendimin se kjo do të jetë bakllavaja e popullit. Miratohet në zoom në kundërshtimin më flagrant të ligjeve, të cilat parashikojnë zoom vetëm në gjendje të jashtëzakonshme dhe pandemi. Por në shtetin e mafias, ligji nuk ka vlerë. E gjitha kjo që shohin shqiptarët që buxheti, ngjarja më e madhe parlamentare e vitit, kalon mënyrë klandestine, vjen për shkak të mohimit të plotë të të drejtave kushtetuese të atyre që përfaqësojnë 600 mijë shqiptarët, të cilët me gjithë kushtet tejet të veçanta, nuk u shitën, nuk u blenë, nuk u trembën, por votuan kundër qeverisë, dhe për deputetë e saj”.