Aksioni i opozitës në Parlament, Rama: Shfaqje që nuk duhet ushqyer, po u mohohet vetëm abuzimi me të drejtat

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2023, 16:37 | Politikë

Aksioni i opozitës në Parlament, Rama: Shfaqje që nuk duhet

Kreu i qeverisë ndodhet sot në Dibër, ku është takuar me qytetarë dhe po zhvillohet edhe Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste.

Ndër të tjera, Edi Rama komentoi punën e organeve të reja të drejtësisë por edhe ndërprerjen e jetës parlamentare për shkak të aksionit të ndërmarrë nga opozita prej disa javësh tashmë.

Kryesocialisti përsëriti qëndrimin që ka mbajtur me të vetët, që nëse do të bien në rrjetën e organeve të drejtësisë, rrugën do të duhet ta vijojnë të vetëm.

“Në Shqipëri nuk ka individë të pandëshkueshëm. Kjo duhet të bëjë krenar, çdo anëtar të kësaj familjeje politike. SPAK-u nuk erdhi as nga hëna as nga Amerika as nga BE. Erdhi nga nevoja e shqiptarëve për drejtësi që e mori përsipër ta adresojë PS... Nëse e kanë kërkuar belanë, dhe e gjejnë ta mbajnë vetë. Flas për të gjithë ata që kanë pasur, kanë apo do të kenë probleme me drejtësinë e re.”

Ndërsa, duke u ndalur tek aksioni i opozitës, të cilin e cilësoi si shfaqje, Rama theksoi se deputetëve të grupimit të Sali Berishës nuk u është mohuar asnjë e drejtë. Përkundrazi.

“Minimumi që mund të bëjmë është që të mos e ushqejmë atë shfaqje. Thonë që duan të drejta që po u mohohen. Kjo nuk është e vërtetë. Po u mohohet abuzimi me të drejtën për të bërë detyrën. Tejkalimin e të drejtës në emër të të qenit deputet. Është gënjeshtër, që një grup deputetësh kanë të drejtë që të bëjnë çfarë t’u teket.” 

Sipas tij ajo që synojnë deputetët e Berishës është që të “shfrytëzojnë Kushtetutën dhe ligjet duke kapërcyer Kushtetutën.”

Sa i përket komisioneve hetimore parlamentare, që janë kërkesë e opozitës, kreu i qeverisë tha se as ngritja e tyre nuk mund ta tejkaloje Kushtetutën.

“Jo nëpër penxhere, por sikur të arrijnë deri në tarracë e të kapërcejnë shtatë penxheret, s’ka shanse që t’i bëjnë me miratimin tonë. Që nga 2013, kanë bërë të njëjtën gjë...”

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi