Prodhim dhe tregtim armësh, qeveria krijon agjenci shtetërore, 3 mln euro fondi fillestar 

Nga A2 CNN
20 Maj 2024, 18:17 | Politikë

Qeveria është e gatshme të shpenzojë 3 milionë euro si buxhet fillestar për të ringritur industrinë e armëve. Një projektligj i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i hedhur për konsultim publik, parashikon ngritjen e një shoqërie shtetërore e cila do të ketë si detyrë prodhimin e armëve. 

Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të  trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s. 

Këto armë parashikohen të përdoren jo vetëm për pajisur e Forcat e Armatosura Shqiptare, por edhe për tregti. 

Objekti i veprimtarisë lidhet me projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin e ligjshëm, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, municioneve, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake. 

Rivitalizimi i industrisë së armëve në Shqipëri ishte një nismë e lajmëruar muaj më parë nga ana e kreut të qeverisë, si një domosdoshmëri në kuadër të zhvillimeve në lindje të kontinentit. 

Më herët, ishte Presidenti ukrainas Zelenksy që gjatë vizitës së tij në Tiranë, kërkoi nga Shqipëria dhe vendet e rajonit tonë, të ndihmojnë Kievin përballë agresionit rus, përmes prodhimit dhe furnizimit me armë. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi