“Progres-raporti na dha të drejtë”, Tabaku: Mazhoranca refuzoi me forcën e kartonit propozimet e opozitës

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 10:58 | Politikë

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, akuzoi mazhorancën se refuzoi me forcën e kartonit propozimet e opozitës, duke shkelur të drejtën e saj kushtetuese. Në një deklaratë për mediat, Tabaku theksoi se hapësira parlamentare e opozitës ka për detyrë të propozojë ligje dhe t’i diskutojë ato, por kjo i refuzohet. Ajo përmendi edhe rekomandimet e progres-raportit për Shqipërinë, që sipas saj i dhanë të drejtë opozitës në ngritjen e komisioneve parlamentare.

“Ju i patë diskutimet patetike të kolegëve socialistë. Nismat që kam prezantuar e mbrojtur për një vit si lufta kundër korrupsionit që janë në përputhje me standardet e BE-së, që kontratat PPP t’i kontrollojmë, të mos kemi  kompani offshore. Nismat janë shumë të mira, por ne nuk i votojmë se i ka propozuar opozita. Opozita këtë hapësirë ka në këtë parlament, të propozojë ligje dhe të diskutojë në seancë, por kur me forcën e kartonit refuzohet çdo iniciativë e një pune njëvjeçare. Ne ndodhemi në limitet e hapësirës parlamentare. Këto janë shqetësime edhe të progres-raportit. Hapësira që ka opozita për të ushtruar kontroll mbi qeverinë, për komisione hetimore dhe për të kërkuar llogari se ç’po ndodh sot me financat publike.”

Tabaku tha se ligji për komisionet hetimore i propozuar nga grupi i PD-së është shumë i mirë dhe nuk duhet penguar.

“Unë kam propozuar edhe ligjin për komisionet hetimore, dhe ka një vit që fle në sirtar dhe ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë masë për të miratuar ligjin e ri. Ligji për komisionet hetimore i propozuar nga grupi i PD-së, është shumë i mirë por puna nuk duhet penguar. Progres-raporti na dha të drejtë që shqetësimet për komisionet hetimore janë e drejtë kushtetuese dhe e drejta kushtetuese e opozitës nuk duhet shkelur me këmbë. Çdokush ka mënyrat e veta sesi e shpreh revoltën, grupi parlamentar ka vendosur kështu”.

Fokusi sot, sipas saj, duhet të jetë reflektim për progresin-raportin.

Shqipëria nuk ka asnjë përmirësim. Ka një vit që qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë reformë. Reforma në drejtësi që kërkon ndryshime, qeveria refuzon ta miratojë. I vetmi ligj i miratuar me konsensus është rritja e rolit të kuvendit në procesin e integrimit, ku opozita do të jetë më e përfshirë. Procesi i integrimit kërkon vullnet politik, luftë ndaj korrupsionit, gjithëpërfshirje e reforma. Kjo do të ndodhë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos