
Protesta qytetare është zhvendosur këtë të enjte nga Kryeministria te godina e Kuvendit, ku janë shënuar momente tensioni dhe përplasje verbale.
Protesuesit brohoritën thirrjet “Rama në burg! Berisha në burg!” pranë selisë blu, duke shkaktuar reagimin e disa simpatizantëve demokratë. Situata u tensionua për disa çaste, por deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ndërhyri duke larguar mbështetësit demokratë për të shmangur çdo përshkallëzim të përplasjes.
Një tjetër incident u shënua pranë Kuvendit, ku protestuesit u përballën verbalisht me deputetin e Partisë Socialiste, Ardit Bido. Ky i fundit u përpoq fillimisht t’i sqaronte protestuesit, dhe më pas u desh ndërhyrja e efektive për ta larguar nga zona.
Aktualisht, protestuesit vijojnë të qëndrojnë në krah të godinës së Parlamentit, ku po shprehin pakënaqësitë e tyre me thirrje si: "Parlament i krimit", “nuk na përfaqësoni” dhe “duhet të largoheni”.

(A2 Televizion)