Entuziazmit të protestuesve, pas amendamentit në Parlamentin Europian për respektimin e ambientit dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri, i ktheu përgjigje Kryeministri Rama. Kujt shqetësohet për ambientin dhe fatin e flamingove, u thotë se fitoren aty e kanë pasur, ende pa nisur protestat.
Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro - Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë - Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale.
Sa i përket kërkesës së eurodeputetëve për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, Rama pohon se çdo problematikë do të evidentohet dhe adresohet gjatë procesit të negociatave me Komisionin Europian.
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standardet e BE-së.
Ndërkohë, më herët, përmes një tjetër postimi në rrjetet sociale, Kryeministri shprehu mirëkuptim për qytetarët që iu bashkuan protestës nga shqetësimi për mjedisin, por kritikoi ashpër drejtimin që ajo ka marrë në ditët e fundit. Rama e cilësoi lëvizjen si një protestë të degraduar politikisht, duke akuzuar organizatorët se refuzojnë faktet dhe dialogun.
(A2 Televizion)