
Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, gjatë fjalës së tij në Forumin Botëror të Investimeve “Future Investment Initiative” (FII).
Rama e cilësoi Bashkimin Europian si projektin më të guximshëm politik në historinë e njerëzimit, ndërsa përdori metaforën e një martese për të përshkruar aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Sipas kreut të qeverisë, shqiptarët janë të dashuruar me Europën dhe, pavarësisht paralajmërimeve apo vështirësive që mund të shoqërojnë procesin e integrimit, vendi mbetet i vendosur për të realizuar këtë objektiv.
“Mendoj që BE është imagjinata më e mrekullueshme dhe më e mahnitshme dhe më e guximshme e njerëzimit, kur bëhet fjalë për politikën. Ne jemi të dashuruar me Europën. Kështu jam i sigurt që shumë njerëz këtu e dinë, që kur bien në dashuri të gjithë thonë: “mos nxito të martohesh sepse ne e dimë se ç’është”. Por kjo nuk do të ndaloj të martohesh. Ne duam të martohemi me Europën sepse është vendi i duhur për të qenë. Se si do të shpalosen gjërat është një histori tjetër, por ne e duam këtë martesë, jemi të fiksuar pas saj. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë”, tha Rama. (A2 Televizion)