Protestë kur të miratohet buxheti, Berisha: Qytetarët do të rrethojnë parlamentin, po plaçkiten nga qeveria

Nga Anesti Barjamemaj
11 Nëntor 2024, 15:11 | Politikë

Miratimi i buxhetit të vitit 2025 do të shoqërohet me protesta. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat bëri me dije se demokratët do të zhvillojnë tubim para Parlamentit teksa deputetët do të diskutojnë për buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit”, deklaroi Berisha.

Protesta para Kuvendit nuk do të jetë e fundit, theksoi Berisha, duke pohuar se mosbindja civile do të vijojë dhe e konsideroi si ‘Leva e Arkimedit’ për rikthimin e votës së lirë.

“Ne kemi një proces, që është procesi i primareve, me të cilin ne do përzgjedhim deputetët. Por ne jemi të përcaktuar qartë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, ndaj dhe do luftojmë me çdo mjet të mosbindjes civile për qeveri teknike”, theksoi kreu demokrat.

I pyetur nga gazetarët për garën që po zhvillohet në radhët e policisë për zgjedhjen e 12 drejtorëve të rinj të qarqeve, lideri i opozitës tha se  emrat po përcaktohen nga krimi.

“A e dini se çfarë po ndodh këto ditë? Kush po i përzgjedh drejtorët e policisë? Drejtorët e policive po i zgjedh klani i Troplinit dhe i Bajrëve. Klani i Troplinit ka emëruar Neritan Nallbatin, Neritan Xibrakën, ish-bashkëpunëtorin e Hakmarrjes për Drejtësi.”

Berisha përsëriti edhe njëherë akuzat për SPAK, duke e quajtur organizatë kriminale, duke shtuar se prokurorët dhe anëtarët e BKH-së, tregtojnë dosjet e krimit, me autorët e krimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos