PS rezerva për ILD: Shkëputje nga realiteti! Metani: S’jam SPAK-u i magjistratëve

Nga A2 CNN
23 Maj 2024, 11:37 | Politikë

PS rezerva për ILD: Shkëputje nga realiteti! Metani: S’jam

Socialistët kanë shprehur rezerva për punën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Deputeti Plarent Ndreca tha se ILD është e shkëputur krejtësisht nga realiteti ku ndodhet sistemi i drejtësisë, pasi sipas tij nga 3703 ankesa për magjistratët, ka pasur vetëm 17 hetime. Për Ndrecën, kjo është një shifër alarmante, por që sipas tij, ILD qëndron në heshtje.

“Një qytetar ka marrë lapsin ka shkruar dhe nuk është e lehtë që të shkruash për një magjistrat, ka pasur vullnetin, dhe 3703 persona janë ulur dhe kanë shkruar për magjistratë dhe ne flasim për 17 procedime hetimore të filluara, unë mendoj që nuk është rezultati që pritej. Ka një shkëputje nga realiteti për gjendjen ku ndodhet sistemi ynë i drejtësisë. Nga gardianë i ruajtjes së balancave të sistemit të drejtësisë, ndihet sikur është bërë pjesë e një heshtjeje të përgjithshme ndaj fenomeneve që janë aty”, tha Ndreca.

Kjo deklaratë e bërë nga deputeti, e mori përgjigjen nga kreu i ILD-së, Artur Metani. Përgjigjja e tij ishte e prerë. ILD nuk është SPAK i gjyqtarëve dhe prokurorëve, tha Metani, teksa ndalur te shifrat, ai shtoi se për të nuk janë të rëndësishme sa janë standardet.

“Nga ato që vërejta, është më themelore që shikoj diferencë të madhe diference pune, nuk jam SPAK dhe nuk do bëhem SPAK i gjyqtarëve dhe prokurorëve. ILD performon me standarde, i kontrollit të jashtëm. Reforma në drejtësi në drejtësi këtë pati lajmotiv, pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe problematikat e sistemit i zgjidh vetë sistemi, numri i ankesave nuk na impresionon, nëse ka më shumë hetime apo më pak, ne shohim standardin. 2340 ankesa janë trajtuar vitin e kaluar dhe në 110 raste janë ankimuar dhe në asnjë rast Këshillat nuk kanë detyruar ILD që të bëjë hetim më të thelluar. Ne ndërhyjmë në procese pas vendimit të formës së prerë, pasi shkelja e magjistratëve është e përsëritur, janë të shkruara në Kushtetutë dhe në periudhën 4-vjeçare nuk ka asnjë gabim në punën e këtij institucioni”, tha Metani përpara deputetëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos