Mesditën e së enjtes u firmos marrëveshje mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësim për Federica Mogherinin: “Nuk isha përgatitur që të flisja dhe nuk do të mbaj fjalim. Dua vetëm të ndaj me të gjithë ju atë që ka bërë Federica. Nuk e fsheh kënaqësinë për faktin se Federica po i afrohet asaj pike ku ne ofrojmë nënshtetësinë shqiptare. Do të jetë më shumë se një nder që ta konsiderojmë atë si shqiptare”.
“Ardhja e Kolegjit të Europës na bën krenar. Ky do të jetë destinacion i mirëfilltë europian arsimimi. Jo vetëm sa i takon programeve, por dhe cilësisë së jetës”, shtoi më tej Edi Rama.
Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini u shpreh se ka patur një interes shumë të lartë nga ana e të rinjve për të zhvilluar studimet në këtë Kolegj: “Viti akademik do të nisë në shtator me 31 studentë, me një Program të nivelit master për transformimin dhe integrimin europian me fokus të veçantë në Bashkimin Europian dhe Ballkanin perëndimor. Çelëm procesin e pranimit në tetor dhe sot mund të raportoj se kemi marrë 241 aplikime, për 31 vende, nga 41 kombësi, nga i gjithë rajoni, nga vendet e BE-së dhe 15 të tjera". (A2 Televizion)