Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të Edi Ramës. Nga ballkoni i shtëpisë së tij ku ndodhet në arrest shtëpie, Berisha përshëndeti praninë në Tiranë të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, por akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjës për heqjen nga deklarata të paragrafit për sanksione ndaj Rusisë.
Ai shtoi se samiti në Tiranë u zhvillua pa flamuj kombëtarë, sepse Aleksandër Vuçic nuk mund të toleronte flamurin e Kosovës. Nga ana tjetër, nisur nga trania e Alex Soros në çdo takim të Edi Ramës, ai ka kërkuar Kongresit të SHBA-së që të ndalojë me ligj veprimtarinë e Soros.
Gjithashtu Berisha evidentoi faktin se kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis e bojkotoi samitin. Sipas Berishës, bojkoti i tij ka ardhur për shkak se Shqipëri nuk respekton vlerat bazë.
"Të lëshosh një komunikatë me qindra e qindra fjalë dhe të mos guxosh të përmendësh njëherë barbarin Putin për agresionin e tij ndaj Ukrainës, është njëlloj sikundër të flisje për nazistët dhe të mos flisje për Hitlerin.
Po pse ndodh kjo? Si ka mundësi që një komunikatë e publikuar nga krerë shtetesh dhe qeverish në kryeqytetin e një vendi të NATO-s, nuk guxon të thotë një fjalë të vetme, të përmende njëherë Vladimir Putinin, barbarin që urdhëroi sulmin mbi Ukrainën?
Arsyeja është vetëm një: në konferencë ishte Putini i vogël, ishte Aleksandër Vuçiç. Dominimi i tij në samit ishte i papranueshëm. Për vete ai nuk respekton sanksionet ndaj Rusisë. Përkundrazi, ka shndërruar Serbinë në një prapavijë të fuqishme të Rusisë së Putinit. Po mirë ai, po vendet e tjera, çfarë kishin që s’mund të përmendnin sanksionet ndaj Rusisë?
Kjo sepse mikpritësi i samitit, Edvin Rama, është argati i Vuçiçit dhe ata së bashku nuk lejuan të përmendej një herë të vetme fjala sanksione ndaj Rusisë, të përmendej një herë të vetme emri i Vladimir Putinit. Qoftë si guxim për ta denoncuar siç e meriton, por edhe në respekt të mikut të shquar, i cili ka guxim dhe kurajo në emër të popullit të tij ta denoncojë atë si një barbar të vërtetë", tha Berisha. (A2 Televizion)