“BE ledhatuese ndaj Vuçiç”, Ditmir Bushati: Presidenti serb pastroi në Tiranë imazhin e ndotur të Beogradit

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2024, 20:57 | Politikë

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, foli në Ditarin e pasdites në A2 CNN për samitin e mbajtur këtë të mërkurë në Tiranë, Ukrainë-Europë Juglindore. Ai e ndau samitin në dy drejtime. “Samiti ndahet në dy drejtime, së pari në aspektin e dyanshëm të vizitës. Është me rëndësi të madhe vizita e presidentit ukrainas në Tiranë, është shprehje e vlerësimit që ka luajtur Shqipëria që në vitin 2014, duke u radhitur me vendet e aleancës në dënimin e aneksimit të Krimesë. Firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, uroj që të jetësohet në të ardhmen në një bashkëpunim sa më të strukturuar.

Së dyti, pavarësisht përpjekjeve të lavdërueshme të Shqipërisë, aktiviteti i sotëm në Tiranë është vështirë të quhet samit. Së pari në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, samiti është kurorëzim të një pune voluminoze, me specialist, përfaqësues diplomatikë dhe në fund janë drejtuesit e shteteve që mblidhen në një takim duke marrë angazhime të rëndësishme. Çka nuk ishte rasti i këtij aktiviteti në Tiranë. Elementi tjetër është ai tematik, që është mjaft i rëndësishëm në rast se duam që nisma të tilla të jenë produktive dhe të mos mbeten thjesht në nivelin deklarativ”, tha Bushati.

Më tej, ai u shpreh se Vuçiç mund të ketë përdorur samitin e Tiranës për të pastruar imazhin e ndotur të Serbisë, ndërsa ritheksoi edhe njëherë se BE-ja dhe jo vetëm, vijojnë ta ledhatojnë presidentin e Serbisë pavarësisht qëndrimeve të tij për luftën në Ukrainë.

“Serbia e ka dënuar agresionin në mënyrë perfide, duke e barazuar agresionin rus në Ukrainë me ndërhyrjen e NATO-s 25 vite më parë në Serbi dhe në Kosovë. Ajo që Serbia predikon sa i përket integritetit territorial të Ukrainës nuk është as më shumë e as më pak me rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, këtë e ka thënë Vuçiç. Kemi edhe Ukrainën dhe Moldavinë, një vend i gjymtuar, që edhe pse nga momenti i agresionit rus kanë një dashamirësi të shtuar ndaj Kosovës, nuk kanë hedhur asnjë hap për njohjen e Kosovën.

Serbia është i vetmi vend në Europë ku mund të fluturohet drejt Moskës, i vetmi vend që nuk i ka ndërprerë raportet politike, ushtarake, por edhe shpirtërore, mendoj se do të ishte naive të pritej që Serbia do t’i bashkohej një qëndrimi dhe do të kishim një rezultat apo angazhime konkrete në drejtim me sanksionet e Perëndimit dhe dënimit të veprimtarisë së Rusisë në rajonin tonë si një forcë destabilizuese.

Deklaratat në aktivitete të tilla i nënshtrohen procesit të konsultimeve dhe të lëshimeve të ndërsjella. Në kushtet kur BE nuk ka qenë në gjendje të këmbëngulë me vendosshmëri dhe falë politikës ledhatuese të BE-së, por jo vetëm, ne jemi në kushtet kur Serbia vijon të jetë prishëse e stabilitetit rajonal, pjesa tjetër Ballkanit Perëndimor do ta kishte shumë të vështirë për të bindur me 2 orë takim në Tiranë Serbinë që të bëhet pjesë e sanksioneve. Po, mund të thuhet se Presidenti i Serbisë mund ta ketë përdorur takimin e sotëm si një mundësi për të pastruar imazhin e ndotur të vendit të tij, jo vetëm në raport me këtë qasje të dyzuar, por mbi të gjitha me mungesën e theksuar të demokracisë”, tha Bushati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos