Nga konferenca e përbashkët për mediat me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kryeministri Edi Rama pa drejtuar gishtin, por me atë që dukej një mesazh indirekt për Serbinë dhe Kosovën, kërkoi që çështjet politike të zgjidhen në bisedime dypalëshe dhe të mos mbajnë peng planin e rritjes dhe fondin 6 miliardë euro të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor.
“Nuk ka rëndësi çfarë problemesh politike kemi me njëri-tjetrin, duhet ta bëjmë këtë dhe të 6 vendet e rajonit kanë rënë dakord. Ndaj çështjet politike duhet të diskutohen dhe zgjidhen si probleme dypalëshe. Ato nuk janë arsye dhe nuk do të pranohen nga BE për të mos realizuar gjithçka që lidhet me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.”
Kryeministri nuk la pa mbrojtur edhe hapat pozitivë me të cilat sipas tij Ballkani i Hapur kontribuoi në integrimin rajonal, proces i cili shënjon për Ramën rrugën drejt Bashkimit Europian për 6 vendet e rajonit.
“Dua t’ju them se të gjitha përpjekjet që kemi bërë në 10 vite për të ecur drejt integrimit rajonal, përmes planit të ri të rritjes duhet të ndodhin pa por apo arsye politike për të mos bërë marrëveshje. Dua t’u them të gjithëve se kur flisnim herë pas here sa e rëndësishme ishte të ecej më shpejt përmes rrugëtimit rajonal, e për të arritur më pranë njëri-tjetrit me marrëveshjet ndërkufitare për lëvizjen e kapitali dhe njerëzve, tanimë është e qartë se po të kishim bërë më shumë më përpara do të ishim më mirë tani. Integrimi evropian ecën përmes integrimit rajonal. Ndaj të gjitha gjepurat që kemi dëgjuar për Ballkanin e Hapur kanë dalë në pah si gjepura.”
Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se Plani i ri i Rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe do ta bëjë procesin të prekshëm për njerëzit.
Për ta ilustruar këtë, Rama iu referua remitancave dhe pikërisht dërgesave nga emigrantët për familjet e tyre në Shqipëri dhe 5 vendet e tjera, duke thënë se me njehsimin e kostove të transaksioneve do të kursehet gjysmë miliardë euro.
“Të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor biem dakord që BE nuk po bën vetëm punë e zakonshme por po shkon një hap më tej për t’u bashkuar me ne, për të na ndihmuar në rritjen dhe integrimin tonë me një plan të ri të rritjes që është faktikisht rezultat i nxitjes nga ana jonë për tu dëgjuar dhe kuptuar, sa i përket argumenteve dhe ideve tona. Falë këtij shkëmbimi pikëpamjesh kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm, që të fusim në procesin tradicional diçka të re, që është mjaft konkrete dhe që mund të na çojë në një nivel tjetër shumë më shpejt. Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri por edhe në të gjitha vendet e rajonit kemi shumë njerëz që jetojnë jashtë, dhe vazhdojnë të ndihmojnë familjet e tyre në atdhe. Për çdo para që ata dërgojnë është 6 herë më e lartë se kostoja e transaksionit midis anëtareve të BE-së. Plani i rritjes do ta çojë këtë kosto në të njëjtin nivel me të shteteve anëtare. Vetëm me këtë kursejmë gjysmë miliardi euro, drejt e nga xhepat e qytetarëve tanë dhe bizneseve tona. Kjo është vetëm një prej benefiteve nga plani i rritjes, që na jep mundësinë të kemi kushte dhe procese krejt të njëjta si vendet e BE-së.” (A2 Televizion)