Flladi i ri që ngroh marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës u vu re edhe në pritjen që iu rezervua Kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij dyditore në Paris.
Një ceremoni ushtarake shtetërore, në një kompleks muzeal të lidhur me historinë ushtarake të Francës, ishte organizuar në nder të kreut të qeverisë shqiptare, bashkëshortes së tij dhe delegacionit që e shoqëronte.
Emocionin e vlerësimit, që për herë të parë i rezervohej një zyrtari të shtetit tonë, kryeministri Rama e përcolli edhe në deklaratën për shtyp me Presidentin Macron.
Deri pak vite më parë, një nga personazhet më skeptikë ndaj avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, kreu i Elysee duket se ka ndryshuar qasje.
Në këmbim, Rama mbështeti vizionin e Macron se integrimi i Ballkanit Perëndimor duhej të ecte paralelisht me reformimin e vetë institucioneve europiane. Macron dha dritën jeshile për rolin që Tirana dëshiron të luajë në marrëdhëniet rajonale.
Në anën tjetër, edhe dëshira e Parisit për të qenë kancelaria më e rëndësishme e Europës, mori një tjetër mbështetje.
Mes dy vendeve u nënshkruan edhe disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi, ndërsa do të krijohet edhe një Këshill Francë-Shqipëri për inovacionin. (A2 Televizion)