Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar një takim me ambasadoren në detyrë të OSBE-së, Clarisse Pasztory, fokus i së cilit ka qenë Reforma Zgjedhore.
Vetë Alibeaj, në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, tha se për PD-në kjo reformë Zgjedhore është prioritet si edhe e ka cilësuar si jetik për demokracinë e vendit.
“Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri Znj. Clarisse Pasztory sëbashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit.
Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.
Gjithashtu e falenderova Znj. Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, thuhet në njoftim.
Pas më shumë se 9 muajsh inekzistencë Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet të premten në orën 11:00 me drejtimin e dy bashkëkryetarëve, socialistit Damian Gjiknurit dhe demokratit Enkelejd Alibeaj.
Pavarësisht kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi për të ndryshuar përbërjen e këtij komisioni dhe për zëvendësimin e Alibeajt me Oerd Bylykbashin, socialistët kanë zgjedhur të vijojnë punën me njeriun që përfaqëson interesat e Lulzim Bashës. (A2 Televizion)