Reforma Zgjedhore, SHBA-BE mohojnë ndërmjetësimin, Basha korrigjon veten

Nga A2 CNN
16 Janar 2024, 12:52 | Politikë

Reforma Zgjedhore, SHBA-BE mohojnë ndërmjetësimin, Basha

Në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore.

Ky pohim i Lulzim Bashës, dhënë dje për mediat pas nisjes së sesionit të ri parlamentar, ku pretendon se PD-ja zyrtare ka arritur të bindë mazhorancën socialiste për të çuar përpara Reformën Zgjedhore me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ka nxitur reagime mohuese nga selitë diplomatike në Tiranë.

Fillimisht, Ambasada e SHBA-së e më pas edhe zyra e BE-së iu përgjigjën interesit të A2CNN, duke deklaruar se nuk janë përfshirë në asnjë ndërmjetësim sa i takon tejkalimit të krizës në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Në reagimet e tyre, nënvizohet se takimet me përfaqësuesit politikë të secilës prej palëve që bëjnë pjesë ose drejtojnë këtë komision bipartizan, nuk mund të përkthehen në ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës.

Pas reagimit të ndërkombëtarëve, Lulzim Basha ka korigjuar veten me anë të një postimi në platformën X, ku zëvendëson termin ndërmjetësim me mbështetje, teksa komisioni për reformën rinis punën të premten në orën 11:00.

Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB, si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë.

Më tej, Basha shprehet se tanimë është “koha për t'ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos