“Jam e paqartë se kush është lideri i PD”, provokon Spiropali: Kanë mbetur tek individi i mbyllur në shtëpi

Nga A2 CNN
15 Janar 2024, 21:24 | Politikë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se arsyet e situatës së krijuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, mund t’i gjenden vetëm tek individi sot i mbyllur në shtëpi, duke iu referuar Sali Berishës, tashmë nën masën arrest shtëpie.

Deputetja socialiste shtoi se si qytetarë ndjen keqardhje për opozitën e vendit se si është katandisur, teksa deklaroi se e ka ende të paqartë se kush është drejtuesi i demokratëve.

“Arsyet e kësaj situata i gjejmë te individi i mbyllur sot në shtëpinë e tij. Nuk e di se sa metra katrorë e ka. Dhe refuzon që hallin e tij juridik, mos ta transferojë në kurriz të opozitës. Në këtë fazë të procesit të negociatave, ne kemi nevojë që të gjithë aktorët të bëjnë një diskutim se çfarë do të thotë që Shqipëria të çelë negociatat.

Nuk e kemi ngritur ende nivelin e diskutimit parlamentar. A duhet ta kalonim ne buxhetin e shtetit? Si i konsideroni ju deputetët e opozitës që bllokojnë sallat dhe nuk lejojnë zhvillimin e komisioneve. Këto janë vepra penale. Nuk i ndjekim ne penalisht. Ka institucione të tjera që e bëjnë këtë. Jam e paqartë se kush është lideri i tyre. Nuk është çështja ime, por e gjykatës. Disa individë pretendojnë se janë liderë të PD”, tha ministrja Spiropali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos