Noka flet për gazetarët: Presidenti erdhi si shërbëtor i ulur i Ramës, mosbindja civile e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga ky regjim!

Nga A2 CNN
15 Janar 2024, 17:42 | Politikë

Deputeti demokrat, Flamur Noka, ka folur nga ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare, ku sot niste sesioni i ri parlamentar, që ashtu sikurse edhe herët e tjera, u shoqërua me incidente nga ana e opozitës.

Sot, teksa pritet që Presidenti Bajram Begaj të mbante fjalën hapëse për nisjen e sesionit të ri, opozita vijoi me aksionin e saj, teksa e bëri të pamundur që kreu i shtetit të fliste, duke e detyruar këtë të fundit që të largohet drejt Presidencës.

Sipas Nokës, sjellja e Presidentit Begaj sot ishte një sjellje prej shërbëtori, sikurse e quajti ai, ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij kriminal. Ndaj, ai tha se e vetmja zgjidhja është mosbindja civile, për të shpëtuar nga zgjedhja e këtij regjimi kriminal.

“Presidenti erdhi si shërbëtor i ulur i Edi Ramës dhe regjimit të tij kriminal. Sot Edi Rama e thelloi skandalin në marrëdhënie me opozitën. Sot Presidenti i Republikës ishte një faktor destabiliteti me sjelljen e tij dhe kjo është arsyeja se përse opozita do të vijojë me aksionin e saj. Mosbindja civile është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga zgjedha e këtij regjimi kriminal.”, tha ndër të tjera Flamur Noka për gazetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos