Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 46%
  • Tre herë në javë 18%
  • Vetëm në fundjavë 4%
  • Asnjëherë 32%

Celibashi apel Kuvendit: Reforma brenda pranverës, 4 muaj kohë për votën e emigrantëve!

Nga Ervin Koçi
15 Janar 2024, 15:25 | Politikë

Nisja e sesionit parlamentar i gjen deputetët me detyra të prapambetura, mes të cilave edhe ndryshimet në Kodin Elektoral. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u kujdes ta rikujtonte këtë fakt, përmes një letre drejtuar kryetarëve të partive parlamentare, ku nënvizon se reforma zgjedhore duhet të miratohet përpara pranverës së këtij viti.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kërkon nga Kuvendi të ecë me marsh të përshpejtuar për reformën zgjedhore. Nëpërmjet një shkrese dërguar kryetarëve të partive parlamentare, Ilirjan Celibashi thotë se reforma zgjedhore duhet të miratohet përpara pranverës pasi në të kundër do të ketë pasoja në garën e ardhshme dhe efektin e parë duket se do ta ndiejnë diaspora.

“Sipas kuptimit nga KQZ të këtij urdhërimi të Gjykatës Kushtetuese, votimi nga jashtë nuk do të mund të realizohet nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk do të plotësojë boshllëqet në Kodin Zgjedhor në lidhje me këtë votim, të evidentuara nga Gjykata Kushtetuese. Sjellim në vëmendje se përgatitja për zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë kërkon kohë, e cila minimalisht nuk mund të jetë më pak se një vit.”, tha Celibashi.

Për zgjedhjet e vitit tjetër KQZ kërkon që ta shtrijë votimin dhe numërimin elektronik në gjashtë qarqe kryesore të vendit, mes të cilave edhe Tirana, por realizimi i kësaj kërkon më shumë para se sa ka institucioni.

“Bazuar në eksperiencën e përfituar nga përdorimi i votimit elektronik deri tani, KQZ ka rekomanduar zgjerimin e këtij votimi vetëm në disa njësi zgjedhore (qarqe) për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Nëse Ju e mbështesni këtë rekomandim, si dhe nëse ekzistojnë fondet publike për realizimin e këtij votimi në njësitë zgjedhore përkatëse, këto konfirmime duhen t'i bëhen KQZ-së jo me vonë se fundi i muajit Shkurt 2024.”, vijoi Celibashi.

Deri më tani Celibashi ka administruar tre procese zgjedhore që kur ka marrë drejtimin e KQZ-së, dhe eksperienca me komisionerët e partive politike duket nuk ka qenë pozitive, pasi i kërkon Kuvendit depolitizimin komisioneve të dyta dhe të treta, një shqetësim ky i ngritur edhe nga OSBE.

“Administrimi i zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta nga administratore zgjedhor të caktuar, apo të përzgjedhur vetëm nga partitë politike, ka cenuar standardin teknik të përgatitjes dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore, si dhe besimin në to. KQZ çmon se konsiderimi pozitiv i këtij rekomandimi duke zhveshur partitë, të paktën pjesërisht, nga e drejta absolute për të caktuar administratorët zgjedhorë në nivelet e dyta dhe të treta të administrimit, do të ndihmonte në krijimin e një trupe administratorësh profesioniste, të mirë trajnuar dhe me integritet.”, deklaroi Celibashi.

Kërkesat e Ilirjan Celibashit drejtuar Kuvendit nuk janë të reja, por deri tani nuk janë marrë në konsideratë, teksa reforma zgjedhor ka mbetur një formalitet me ngritjen e komisionit parlamentar të posaçëm, por pa asnjë produkt.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi