Përveç kthimit mes debatesh në tryezën e komisionit për reformën zgjedhore, fillimviti nuk ka lajme të mira për konsensus politik. Nga njëra anë demokratët nuk heqin dorë nga protestat në Parlament dhe nga ana tjetër mazhoranca nuk është e gatshme të ulet në tryezën e Kuvendit në një realitet të tillë politik.
Kryetarja e majtë e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka tregoi për A2 CNN skenarin që mazhoranca të pranojë dialog me opozitën.
“Ne jemi të gatshëm të dialogojmë me të gjithë deputetë e përgjegjshëm, por jo me kushte dhe sidomos nëpërmjet dhunës”, tha Bushka.
Mbështetja e shumicës së deputetëve në Parlament për Gazment Bardhin e ka detyruar mazhorancën ta njohin atë si kryetar grupi të Partisë Demokratike. Ndërsa për të bërë reformën zgjedhore, veton e bashkëkryetarit kanë zgjedhur t’ia lënë Enkelejd Alibeajt të grupimit të Bashës.
“Sipas rregullores së Kuvendit ne kemi vijuar të respektojmë vendimet e grupit. Ndërsa reforma zgjedhore nuk është një proces tipik parlamentar dhe kujton marrëveshjen e 5 qershorit”, shtoi Bushka.
Edhe pse e pranon si palë në bashkëkryesim partinë e Lulzim Bashës që ka bashkëkryetarin në Komision, propozimet e tyre për ndryshim sistemi mazhoranca nuk premton t’ia marrë në shqyrtim, të paktën jo tani.
“Të bëjmë njëherë ato që i kemi lënë pa mbaruar. Të gjithë kanë të drejtë të propozojnë, por nuk duhet nxituar”.
Klotilda Bushka mendon se diskutimi dhe miratimi i ligjit elektoral duhet të jetë një proces politik dhe gjithëpërfshirës, por në mungesë të 84 votave të domosdoshme dhe të konsensusit politik, nuk e përjashton miratimin e kodit edhe me vota personale nga opozita.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve i quan thashetheme korridoresh akuzat për pazare politike mes PS dhe Lulzim Bashës.
Demokratët e Bashës kanë deklaruar se janë të hapur për të diskutuar mbi ligjet me 84 vota, e siç thonë ata edhe votimin e atyre që kanë rëndësi kombëtare. Këtë gatishmëri nuk e gjejnë tek deputetët e grupimit-Berisha-Bardhi nismat e të cilëve janë refuzuar. Për ta PS ka gati “kërbaçin” parlamentar me Rregullore të re nëse vijojnë bllokimin e seancave. (A2 Televizion)