Dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, Rama-opozitës: Koha kur presidenti përdorte kushtetutën si molotov iku

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 17:40 | Politikë



Dekretimi i ligjit për Komisionet Hetimor nga ana e Bajram Begajt, për kryeministrin Edi Rama është tregues se si Shqipëria po ecën përpara. Kreu i qeverisë nuk kurseu akuzat për ish-presidentin Ilir Meta, sipas së cilit e ka përdorur Kushtetutën si koktejl molotov apo që udhëhiqte revolucione imagjinare kundër qeverinë, duke thënë se kjo kjo ka përfunduar. Po ashtu, shton ai, njësoj siç ka ndodhur me ish-presidentin, e njëjta panoramë do të shihet edhe me kaosin e orkestruar nga opozita në parlament.

“Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Ai vijon reagimin e tij në platformën “X” duke theksuar se tashmë vendi ynë është në një kohë tjetër, atë të pagave më të larta, rekordeve në turizëm dhe investime publike.

"Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij,  rikthimin e kohës së vdekur", përfundon Rama. 

Gazment Bardhi i kërkoi presidentit Begaj që të mos e dekretonte si ligj, mirëpo kjo kërkesë e tij nuk u mor parasysh me argumentin se "Nuk kishte nevojë për konsensus".

Komisionet Hetimore ishin molla e sherrit mes mazhorancës dhe opozitës në sesionin e kaluar parlamentar. Pas protestave të deputetëve demokratë në Kuvend, mazhoranca ndërmori nismën ligjore për të ndryshuar ligjin për Komisionet Hetimore, duke theksuar edhe më tej tensionet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos