Rikthimi në selinë e PD, Bardhi: Bashkim në diversitet, rreth ideve jo individëve

Nga Anesti Barjamemaj
12 Shkurt 2024, 23:08 | Politikë



Pas gati dy vite mungesë, Gazment Bardhi ngjiti sërish shkallët e selisë blu. Kishte thirrur mbledhjen e Grupit Parlamentar, por para takimit me deputetët në selinë e Partisë Demokratike, Bardhi dha mesazhin se demokratët janë të bashkuar, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që ndajnë.

“Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë. Ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona, sepse ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa nga ato që na kanë ndarë deri dje. Një parti e fortë do duhet t’i përfshijë të gjithë flukset brenda vetes dhe ne kemi nevojë për këtë më shumë se kurrë!”, u shpreh Bardhi.

Pas mesazheve për demokratët në bazë, Bardhi zhvilloi mbledhjen me deputetët ku diskutimet u fokusuan tek protesta e 20 Shkurtit. Në mbledhjen 45 minutëshe u ra dakord për intensifikim të takimeve në bazë për të pasur një tubim masiv në Tiranë.

Në të njëjtën frymë ishte dhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit. Drejtuesi i këtij forumi, Edi Paloka, kërkoi që tubimi i 20 Shkurtit të ketë sa më shumë pjesëmarrje.

“Demokratët presin shumë. Megjithatë detyra jonë kryesore, parësore për 20 shkurtin është pjesëmarrja. Forcën në radhë të parë duhet ta tregojmë me pjesëmarrjen. 20 shkurti është aty, kur të jemi me dhjetëra mijëra në shesh, siç e ka thënë edhe Berisha, e ka thënë edhe publikisht që; popullin një herë e drejton, dhe një herë të drejton”, shtoi Paloka.

Entuziast për takimin e deputetëve në selinë blu u tregua dhe Sali Berisha. Në fjalën e tij nga ballkoni i banesës, kreu i Rithemelimit deklaroi se deputetët bënë realitet dëshirën e demokratëve.

“Me të drejtë edhe mund të jeni përlotur, jo vetëm për padrejtësitë ndaj jush dhe opozitës, por të përlotur për Shqipërinë tonë të dashur. Ka lot në sytë e demokratëve, por ato janë dhe do jenë lot gëzimi, sepse opozita është e bashkuar”, deklaroi Sali Berisha.

Pavarësisht bashkimit, Gazment Bardhi sërish la pa përgjigje pyetjen nëse e njeh apo jo Berishën si kryetar të PD.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos