Rizgjedhja e Trump, Bushati: Kjo Presidencë do të jetë ndryshe

Nga Anisa Braho
7 Nëntor 2024, 19:46 | Politikë

Presidenca e dytë Donald Trump nuk do të jetë si e para. Është ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati që beson se me rizgjedhjen në Shtëpinë së Bardhë me një mbështetje të fortë popullore do të vijë një vision ndryshe i drejtimit të Amerikës dhe raportit të saj me botën.

Duke folur me studentë të universitetit të Durrësit, Bushati tha se kjo diktohet edhe nga kushtet ekonomiko-politike në të cilat ndodhet globi.

“Do të jetë një ripërsëritje e Presidencës 2016-2020 Trump? Mendoj se jo, për arsye nga më të ndryshme, sepse ai vetë vjen më me eksperiencë në Shtëpinë e Bardhë. Me një skuadër më të testuar, në kuptimin personal dhe profesional të fjalës.”

Por çfarë do të thotë një presidencë e Trump për rajonin tonë?

“Në Ballkanin Perëndimor, Amerika tradicionalisht që nga rënia e Murit të Berlinit, që nga shembja e komunizmit është cilësuar si një fuqi, e cila është garantuese sa i përket parametrit të sigurisë. Ne kuptimin politik për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, nuk besoj se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejte.”

Prej disa viteve jashtë qeverisë dhe aktualisht as pjesë e strukturave drejtuese të Partisë në pushtet, Bushati flet edhe për punën e SPAK dhe përgjegjësitë individuale, jo vetëm përballë ligjit, por edhe në funksion të qytetarëve. 

Lidhur me çështjen e nxehtë te emigrantëve që Italia sjell në Shqipëri ish-ministri Bushati tha se marrëdhënia me Italinë duhet të ishte në nivel industrial dhe se energjitë duhet të ishin përqendruar në tjetër nivel. 

Megjithatë sipas tij shqiptarët si një komb që prodhon emigrantë duhet të përgatitet edhe t’i presë ata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos