Një foto e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në krah të disa zyrtarëve të Partisë Socialiste ka sjellë reagimin e Rithemelimit. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso kërkoi marrjen e masave kundër Sadushit, pasi sipas tij ka shkelur Kodin e Etikës Gjyqësore.
“Pika 6/ b e Kodit të Etikës Gjyqësore e thotë qartë: gjyqtari duhet të shmangë sjelljet që mund të krijojnë përshtypjen te publiku se është i angazhuar politikisht, dhe as të marrë pjesë në aktivitete politike, në çfarëdolloj mënyre, me përjashtim të çështjeve me rëndësi për funksionimin e gjykatave dhe pavarësinë e tyre”.
Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë e shpërfill Kodin e Etikës së Gjyqtarit dhe e shkel atë. Siç do ta shihni në këtë foto që po bëjmë publike, ai është në një aktivitet politik, siç duket edhe nga shoqëria e lartë politike që pozon me gjyqtarin e Sadushi. Në të djathtë të tij është deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sina dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, dhe në të majtë prefekti i qarkut, të tre të partisë në pushtet. Aktivitet dhe shoqëri më politike se kaq nuk mund të bëhet. Me këtë foto, gjyqtari Sadushi dëshmon atë që Partia Demokratike thotë vazhdimisht. Gjykatat dhe SPAK-u janë aksesor i Edi Ramës dhe qeverisë”. (A2 Televizion)