Xhiro e Italisë 2025 nis në Shqipëri, Rama flet me shifra: Bukuritë e vendit tonë në sytë e 800 milionë shikuesve

Nga A2 CNN
13 Janar 2025, 15:44 | Politikë

Xhiro e Italisë 2025 nis në Shqipëri, Rama flet me shifra:

Kryeministri Edi Rama është shprehur se Xhiro e Italisë, një event i madh i çiklizmit ndërkombëtar që këtë vit do të nisë në Shqipëri, do të ndiqet nga rreth 800 milionë teleshikues në mbi 200 televizione të botës.

Komentet Rama i bëri përmes një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, ku tha se ky event do të ekspozojë bukuritë e vendit tonë në sytë e të huajve dhe do të jetë një nxitje e madhe për zhvillimin e turizmit.

Ai tha gjithashtu se kjo është hera e parë që një event i përmasave të tilla zhvillohet në Shqipëri, pasi sipas tij, gjatë qeverive të kaluara, këto gjëra as që mund të imagjinoheshin të ndodhnin në vendin tonë, shkruan A2 CNN.

“Për pak nisemi për në Romë, për prezantimin publik të Xhiro D’Italia-s. Një ndër ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit që transmetohet nga 200 TV të botës. Këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe.

Për tre ditë rresht bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja me historinë e pejsazhet e tyre të mrekullueshme, Tirana me zhvillimin e saj mbreslënës, Vlora me luginën e lumit të saj, me majën e Llogarasë, me ujërat e Jonit e Adriatikut do të ekspozohen në sytë e 800 milionë teleshikuesve, pa llogaritur dhjetëra e mijëra tifozë të çiklizmit që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur idhujt e tyre.

Kjo tregon rritjen e popullaritetit ndërkombëtar të vendit tonë, ku deri para disa vitesh zhvillime të tilla as që mund të imagjinoheshin. Kjo është një nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, sektor i cili është i ri në vendin tonë, por që e mbylli vitin e shkuar me 12 milionë vizitorë”, tha Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos