7 marsi është një ditë speciale për mësuese Anila Bebrin në Pogradec. Jo shumë për faktin që është festa e mësuesit, por nga urimet që merr nga nxënësit e saj me aftësi ndryshe. Çdo urim, çdo përqafim, çdo buqetë me lule, për të është mjaft e veçantë dhe e vështirë për t’u përshkruar.
“7 marsi është emocion më vete. Në ato çaste ne marrim aq shumë falënderime dhe mirënjohje sa të krijohen kokrriza në trup. Fëmijët që nuk flasin të përqafojnë, ata që flasin thonë gëzuar”, tregon mësuese Bebri. “Prindër që të falënderojnë, emocion jo vetëm për mua por edhe për të gjithë mësuesit e tjerë”.
Ndonëse ka 30 vite që merret me këta fëmijë, me sinqeritet shprehet se nuk është lodhur. “E di pse? Kam dëshirë të njoh çdo fëmijë nga afër... Kënaqësia e rezultatit është diçka më vete, nuk ngopesh me atë kënaqësi”.
Në këtë ditë kur Anila shikon përparimet e nxënësve të saj, ajo ka edhe një apel për të gjithë prindërit që mundohen të mbajnë të fshehta ose të mos pranojnë qoftë edhe problemet më të vogla që mund të hasin tek fëmijët e tyre.
“Prindërit duhet të ndërgjegjësohen, sepse nëse e ndjek fëmijën edhe me shqetësimin më të vogël nuk është se po bën ndonjë gabim, thjesht po i jep ndihmë që nesër, kur fëmija të rritet, problemi të jetë eliminuar apo zvogëluar”. (A2 Televizion)