Janë pjesë e Shqipërisë, por “shëndetësinë falas” e marrin në Kosovë

Nga A2 CNN
30 Tetor 2023, 16:19 | Sociale

I përkasin njësisë administrative të Shishtavecit në Bashkinë e Kukësit, por thuajse të gjitha shërbimet dhe tregtinë e kryejnë me komunën e Dragashit në Kosovë. Ky është realiteti i mbi 820 banorëve të fshatit Borje, të cilët e kanë të pamundur të lidhen dhe të marrin shërbime në Kukës për shkak të rrugës tejet të amortizuar.

Në këto kushte, ato detyrohen të kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës për të vajtur në Kukës vetëm për çështje dokumentacioni. Pasi punët dhe shërbimet e përditshme i mbarojnë në Dragash.

“Rruga është shumë e mirë në Dragash, bëjmë pazarin, shesim edhe patate. Kurse në Kukës nuk është rruga e mirë. Është katastrofë”, thotë një banore e zonës për A2 CNN. “Shteti s’ka vendos dorë hiç”. “Deputetët na i bëjnë fushë me lule, por kur vjen puna, na harrojnë. Kosova na jep edhe punë”, thotë një tjetër.

Situata është e njohur edhe për kryetarin e komunës së Dragashit në Kosovë, i cili shprehet se institucionet e kësaj komune kanë hapur dyert për banorët e zonës kufitare në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë apelon që institucionet shqiptare t’i hedhin sytë nga kjo zonë.

“Janë fshatra të cilat jetojnë në kushte mizerje. Një apel qeverisë shqiptare, të investojë më shumë në këtë pjesë”, thotë për A2 CNN, Bexhet Xheladini, kryetar i komunës Dragash. “Ne u kemi mundësuar të gjitha shërbimet shëndetësore, pa pagesë”.

Kryekomunari i Dragashit, shpreson qe vitin e ardhshëm banorët e zonës kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, të lëvizin akoma më lirshëm në një distancë deri në 30 km në brendësi të kufirit të të dy vendeve, pa qenë të detyruar të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, por vetëm duhet të mbajnë me vete një dokument identifikimi.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024