Ligji për shëndetin seksual e riprodhues, Koçiu: Ndikim për të rinjtë. Shehu: Synon ta kthejë Shqipërinë në një fermë fetusesh

Nga A2 CNN
24 Prill 2024, 09:09 | Sociale

Ligji për shëndetin seksual e riprodhues, Koçiu: Ndikim

Pas prezantimit të projektligjit për shëndetin seksual dhe riprodhues, i cili po i nënshtrohet konsultimit publik, ka reaguar ministrja e Shëndetësisë, Alban Koçiu. Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se ky projektligj do të përmirësojë shëndetin seksual dhe riprodhues, sipas rregullave të qarta kombëtare e ndërkombëtare me ndikim tek të rinjtë dhe adoleshentët.

“Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” vjen në mënyrë organike, paralelisht me një sërë politikash shëndetësore e sociale që kanë impakt në përmirësimin e shëndetit seksual, sidomos për të rinjtë e adoleshentët, por edhe atij riprodhues, me synim përcaktimin e rregullave të qarta, sipas praktikave më të mira kombëtare e ndërkombëtare në lidhje me organizimin, funksionimin dhe monitorimin e veprimtarive që zhvillohen në këtë fushë”.

Konsultimi publik, sipas saj, ndihmon në reflektimin e opinioneve të grupeve të interesit dhe profesionistëve të shëndetësisë dhe të gjithë atyre që angazhohen në shëndetin seksual dhe riprodhues.

“Prej disa ditësh, ky ligj i është nënshtruar konsultimit publik në regjistrin elektronik të konsultimit publik, procedurë kjo që ndihmon në përthithjen dhe reflektimin e mëtejshëm të opinioneve të grupeve të interesit, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave jofitimprurëse, atyre të shoqërisë civile, të cilat janë të angazhuara në çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues, të të drejtave të të rinjve dhe adoleshentëve, grave etj.

Pas përfundimit të këtij procesi, ligji do të reflektojë edhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime, deri në rrugëtimin e tij në Parlament”, shkruan Koçiu.

Për këtë nismë, ka reaguar edhe deputeti demokrat, Tritan Shehu, sipas të cilit, “ky ligj synon ta kthejë Shqipërinë në një fermë fetusesh të prodhuara nga uteruse me pagesë”.

Duke argumentuar lidhjen e ngushtë biologjike mes nënës dhe fëmijës, gjatë shtatzanisë, Shehu thekson se uterusi është organ biologjik e jo kasafortë bankare.

“Projektligji për “Shëndetin riprodhues e fertilizimin e asistuar“, duke i hapur rrugë “uterusit me qira” dhe abortit mbi 12 javë, tregon se deri në çfarë niveli mund të degradohet biologjia. Fetusi fillon të njohë zërin e nënës, emocionohet realisht prej tij, duke e reflektuar këtë me shpeshtësinë e rrahjeve kardiake, lëvizjet etj. Krijon shijet sipas modelit të nënës nëpërmjet lëngut amniotik, njeh aromën e saj. Nga muaji i 6 i shtatzanisë, Fetusi merr pjesë aktive në jetën e nënës, duke krijuar një lidhje të fortë, që vazhdon dhe pas lindjes. Pika e kontaktit të fetusit me ambientin është nëna. Fëmija që në muajin e tretë të gravidancës, pra 12 javësh, fillon dialogun sensorial me nënën, duke u bërë fëmijë e asaj nëne, pavarësisht nga gjenetika”.

Sipas tij, “ndarja, që kërkon të bëjë ky projektligj kriminalo-mafioz mbas lindjes nëpërmjet “uterusit me qira”, përveç shume problemeve shëndetësore të fëmijës, mund të bëhet shkak edhe për çrregullime të thella psikiatrike e psikologjike të atij e nënës. Ndërsa ligjërimi i abortit jomjekësor edhe mbas 14 javëve të shtatzënisë, të bën vrasës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos