Pas Vlorës dhe Pogradecit, banorët e qarkut të Lezhës do të paguajnë më shumë për ujin e pijshëm

Nga Marjo Brakaj
27 Mars 2024, 15:28 | Sociale

Pas Vlorës dhe Pogradecit edhe banorët e qarkut të Lezhës do të paguajnë më shumë për ujin e pijshëm. Në tre bashkitë e qarkut verior, Lezha, Kurbini dhe Mirdita çmimi i ujit do të rritet me 7 deri në 15 lekë. Sipas vendimit të Entit Rregullator të Ujit të Publikuar në Fletoren Zyrtare, një metër kub ujë për qytetarët e Lezhës do të kushtojë 65 lekë nga 58 lekë aktualisht.

Gati 50 për qind më shumë do të kushtojë uji i pijshëm edhe për banorët e Kurbinit. Ujësjellës Kanalizime Lezhë kishte kërkuar që çmimi i ujit për qytetarët e kësaj bashkie të rritej në 65 lekë për metër kub, por “Enti” vendosi tarifën 45 lekë.

Nga 30 lekë aktualisht, çmimi do të rritet në 45 lekë për metër kub edhe për ata që jetojnë në njësitë administrative Rubik e Rrëshen. Ujësjellës Kanalizime Lezhë kishte kërkuar që çmimi i ujit për qytetarët e këtyre zonave të bëhej 65 lekë për metër kub, por Enti Rregullator i ujit vendosi rritja të ishte me vetëm 15 lekë.

Aktualisht janë edhe dy ujësjellës të tjerë, Fieri dhe Durrësi që kanë kërkuar rritje të çmimit të furnizimit me ujë të pijshëm. Vendimi pritet të merret nga Enti Rregullator i Ujit brenda muajit Prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos