Nuk ishte një martesë e zakonshme mësimi, por një ditë shoku për mbarë opinionin publik. Vrasja e nxënësit 14-vjeçar, Martin Cani, nga bashkëmoshatari i tij nga e njëjta shkollë, ka tronditur mbarë nxënësit, prindërit dhe mësuesit. Para shkollës “Fan Noli” janë ende njollat e gjakut të 14-vjeçarit që humbi jetën në spital nga plagët e marra me thikë.
Shokët dhe moshatarët e tij nuk mund të harrojnë skenën para shkollës, teksa largoheshin për në shtëpi, ndërsa shoku i tyre u largua përgjithmonë nga kjo botë. Nuk pranojnë të flasin për autorin e ngjarjes, por tregojnë me bindje se viktima, miku i tyre, nuk ishte problematik. Madje, ata thonë se ai bullizohej vazhdimisht.
Fotot e Martinit, lule dhe qirinj ishin vendosur në vendin ku ndodhi konflikti që parapriu ngjarjen e rëndë. Edhe në shkollë, miqtë e tij hynin me buqeta lulesh. Mësimi tek “Fan Noli” u zhvillua vetëm në ciklin fillor, por me pjesëmarrje të ulët dhe të shoqëruar gjithë kohën nga prindërit.
Lajmi i vrasjes së nxënësit 14-vjeçar, disa metra larg shkollës, ka tronditur çdo familje. Banorë të kryeqytetit, veçanërisht gjyshër dhe prindër, kërkojnë rend dhe siguri për fëmijët e tyre.
Ekspertët flasin për përgjegjësitë e ngjarjes: shoqëria, shkolla dhe familja me modelin e saj. Psikologu Edmond Dragoti këshillon kujdes të veçantë për adoleshentët, të cilët duhet të monitorohen për sjelljen e tyre, por edhe për shoqëritë virtuale.
Vrasja e nxënësit 14-vjeçar i dha një goditje të fortë sistemit arsimor. Ajo dëshmoi edhe një herë se realiteti pranë shkollave tona është larg reklamave të ministrisë dhe bashkive në aktivitetet me regji. (A2 Televizion)