
Avokatii i Popullit ka dalë me një deklaratë pas ngjarjeve të ditës së djeshme në Unazën e Re, pas prishjes së një numri banesash.
“Grupe ekspertësh të institucionit kanë vëzhguar që në mëngjes veprimet e organeve shtetërore fillimisht në terren dhe më pas në komisariatet e policisë së Tiranës ku ishin shoqëruar një numër shtetasish, si dhe në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ishin hospitalizuar personat e lënduar gjatë konfrontimeve me policinë. Grupet e punës së Avokatit të Popullit nuk janë lejuar për të hyrë në zonën ku pritej të kryheshin veprime, por nga distanca ekspertët e institucionit tonë konstatuan se mjete të rënda po prishnin objekte në të dy anët e rrugës. Nga konstatimi i mëpasëm, si dhe nga deklarimet e poseduesve të këtyre objekteve, rezultoi se orenditë dhe sendet e jetës së përditshme, nuk ishin arritur të largoheshin”, lexohet në reagimin e Avokatit të Popullit.
“Si konkluzion, Institucioni i Avokatit të Popullit është i mendimit se situata e tensionuar e datës 12.11.2019 mund të shmangej me një qasje më pajtuese, konsensuale dhe mirëkuptuese nga ana e autoriteteve shtetërore kundrejt komunitetit të qytetarëve që ndjehen të cënuar nga projekti i zgjerimit të Unazës së re. Sidomos e domosdoshme ka qenë kjo qasje dhe më e panevojshme është bërë forca represive, në kushtet kur ky projekt duhet të ishte në fazë ngrirjeje, deri në verifikimin e plotë të dyshimeve të lindura për parregullsi ligjore në procedurat e tij. Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës si mjet i parë nga ana e forcave të policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar. Avokati i Popullit pret të marrë sqarime dhe një arsyetim shterues nga ana e Policisë së Shtetit në lidhje me këto procedura, si rezultat i të cilave disa qytetarëve u janë shkaktuar dëmtime, siç konfirmohet edhe nga autoritetet spitalore”, shton Avokati i Popullit. (A2 Televizion)