Agjencia për refugjatët e Kombeve të Bashkuara, e cilësoi se tejet shqetësues projektligjin e ri për azilin, të prezantuar nga qeveria britanike, i cili praktikisht do të ndalonte këdo që hyn në vend përmes rrugëve ilegale të kërkonte azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Përfaqësuesja e UNHCR-së, Vicky Tennant, tha për BBC se një masë e tillë do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe nuk ishte e nevojshme për të ndalur hyrjet në kanalin e La Manshit. “Jemi shumë të shqetësuar. Kjo do të thotë t’u mohosh qasjen ndaj azilit personave që hyjnë në Britani në mënyrë të parregullt. Ne besojmë se është shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve. Edhe personat me arsye shumë të forta nuk do të kenë mundësi të kërkojnë azil”, tha ajo.
Kryeministri Rishi Sunak tha se është i gatshëm për luftë, për të mundësuar miratimin e ligjit, dhe për të tejkaluar çdo sfidë të mundshme ligjore. Masa e re, parashikon që çdokush i cili do të hyjë në vend në mënyrë të paligjshme, jo vetëm që nuk do të ketë të drejtë të kërkojë azil, por edhe do të ndalohet të rikthehet në vend, apo të pretendojë për shtetësinë britanike në të ardhmen.
“Ata që kalojnë ilegalisht kanalin e La Manshit nuk po largohen në mënyrë direkte nga një shtet në luftë, përndjekjet apo kërcënimet për jetën. Ata po udhëtojnë përmes vendeve të sigurta dhe po u paguajnë trafikantëve shuma të mëdha parash për këtë udhëtim tragjik. Njerëzit duhet ta dinë se nëse vijnë këtu ilegalisht, do të dëbohen me shpejtësi”, tha Sunak.
Masa është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të adresuar numrin në rritje të emigrantëve që vijnë në Britaninë e Madhe nga kanali, shumicën e të cilëve e përbëjnë shtetasit shqiptarë.
Administrata Sunak, u ka shpallur luftë prej disa kohësh emigrantëve nga vendi ynë, të cilët i lidh me krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave, 12 301 emigrantë shqiptarë, kryesisht meshkuj të rinj, kanë hyrë ilegalisht në vend në 2022, numri më i lartë i rreth 45 mijë shtetasve që kanë kaluar gjithsej kanalin vitin e kaluar. (A2 Televizion)