Prokurorët e Posaçëm thanë fjalën e tyre të fundit në gjyqin ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, në Gjykatën e Posaçme, duke kërkuar dënimin e tij me 3 vjet e 4 muaj burg. Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku i arrestuar në korrik të vitit të kaluar duhet të fajësohet për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim të detyrës” në dy raste.
Tushe akuzohet për abuzim menjë tender me vlerë 23 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali vaditës në njësinë administrative Kolonjë. Tenderi dyshohet të jetë fituar në mënyrë fiktive nga një kompani, ndërsa punimet në terren u kryen nga një tjetër kompania e administruar nga Ibrahim Lami, që sipas SPAK, privilegjohej në tenderimet e bashkisë.
Ndërsa “shpërdorimi i detyrës” nga Tushe dyshohet të jetë bërë përmes shpërdorimit të karburantit të bashkisë dhe lejimit të një ndërtimi pa leje.
Tushe u përgjua nga SPAK, teksa lejonte dhënien e sasive të karburantit personave të paautorizuar, si edhe porositë ndaj një qytetari që po ndërtonte pa leje “thuaji që kam folur me kryetarin”.
Pretenca e SPAK, lista e plotë
Fatos Tushe: 5 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 3 vite e 4 muaj)
Flamur Peqini: 5 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 3 vite e 4 muaj)
Gentian Nushi: 4 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 2 vite e 8 muaj)
Leonard Sefa: 2 vite 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj)
Bleta Turku: 2 vite 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj - pezullohet ekzekutimi i dënimit, 3 vjet 6 muaj shërbim prove)
Bardhi Mëhilli: 2 vite e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj)
Ilva Billo: 2 vite e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj)
Gazmend Çela: 2 vite e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj)
Margarita Gjermeni: 2 vite e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj)
Xhemal Hasko: 2 vite e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 8 muaj)
Andri Nusho: 2 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 4 muaj)
Bektash Nezha: 2 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 4 muaj)
Ani Simoni: 2 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 4 muaj)
Ledi Aleksi: 1 vit e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit)
Vilma Zhupa: 1 vit e 6 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit)
Ibrahim Lami: 2 vite 3 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 1 vit e 6 muaj)
Gjergji Mëhilli: 1 vit burg (nga gjykimi i shkurtuar 8 muaj)
Ismail Bliku: 9 muaj burg (nga gjykimi i shkurtuar 6 muaj)
Edi Gjelaj: 3 vite burg (nga gjykimi i shkurtuar 2 vite)
Fillimisht për Tushen u kërkua një dënim me 5 vite burg, por ai përfitoi uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar. E njëjta masë dënimi, 3 vjet e 4 muaj, u kërkua edhe për Flamur Peqinin, ish-drejtor i Ndërmarrjes së Pasurive Publike në bashkinë Lushnje, ndërsa për ish-nënkryetarin e Bashkisë, u kërkua përfundimisht 2 vjet e 8 muaj burg.
Për 13 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” në tre procedura dhe për “shpërdorim të detyrës”, u kërkuan dënime që varionin nga 1 vit deri në 1vit e 8 muaj burg. Për të gjithë të pandehurit ish-zyrtarë SPAK kërkoi si dënim plotësues heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike nga 3 në 5 vite.
Ish-zyrtarët e bashkisë Lushnje, një biznesmen, si edhe dy të akuzuar për “ndërtim të paligjshëm” u arrestuan në dy operacione të ndryshme në korrik dhe dhjetor të vitit të kaluar.
SPAK kërkoi edhe dënime plotësuese, për Tushen dhe Flamur Peqinin heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite, ndërsa për ish-zyrtarët e tjerë nga 3 vite. (A2 Televizion)