Në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetari i saj Gent Ibrahimi komentoi për A2 CNN mbylljen e afateve për kandidaturat e SPAK. Pritshmëritë sipas tij janë të justifikueshme, për atë që Ibrahimi cilëson “si materializimin më të spikatur të reformës në drejtësi”.
Numri i kandidaturave, 27, cilësohet nga Ibrahimi si “i kënaqshëm, duke parë skepticizmin që gjykatësit dhe prokurorët ndajnë për reformën ne drejtësi”.
Kreu i KLP rikujtoi që janë hapur 15 vende vakante, shpreson që me aplikimet e ardhura të mbushen të gjitha vendet, edhe pse kujton që “ procesi mund të fillojë edhe me 10 anëtare”.
Përzgjedhja e tyre do të jetë volumizoze, dhe do të përfshijë një metodë vlerësimi për kandidaturat, kur çdo kandidat do të vlerësoj së paku 10 dosje, “në mënyre që të kuptojmë aftësitë e tyre në hetim, vendosmërinë, integritetin”.
Është një proces që “do të zgjas disa muaj”, sipas Ibrahimit, ne mënyrë që të gjithë të dinë me çfarë kritere do të vlerësohen. (A2 Televizion)