Formacioni i Shqipërisë për ndeshjen me Spanjën, zbulohen 3 ndryshimet e Silvinjos

Nga A2 CNN
23 Qershor 2024, 17:32 | Live Euro 2024

Të hënën në orën 21:00, Shqipëria do të luajë në “Merkur Spiel Arena” të Duseldorfit fatet e Europianit të futbollit, teksa një fitore përballë Spanjës do të mund të na çonte në 1/8 për herë të parë në histori.

Gazetari i A2 CNN, Erald Kodhelaj në pritje të akomodimit të futbollistëve kuqezinj në hotelin e përzgjedhur nga FSHF për të qëndruar para ndeshjes, ka zbuluar se 25 deri në 30 mijë tifozë shqiptarë pritet të jenë nesër në stadium.

Interesi nga tifozët spanjollë për sfidën duket i ulët, pasi “La Roja” u kualifikuan më tej si kokë e Grupit B pas fitore ndaj Italisë. Për këtë arsye shumë tifozë spanjollë kanë filluar të shesin biletat e tyre për këtë sfidë.

Ndërkohë sa i përket formacioneve, Silvinjo duket se ka në plan të bëjë tre ndryshime nga 11-ja titullare që hodhi në fushë përballë Kroacisë.

Ardian Ismajli dhe Ivan Balliu pritet të startojnë si titullarë në mbrojtje, duke i zënë vendin Arlind Ajetit në qendër dhe Elseid Hysajt në krahun djathtë. Po ashtu pritet rikthimi në sulm i Armando Brojës, i cili parakalon kështu Rey Manajn.

Skemat që tekniku Silvinjo ka në mendje për të mposhtur Spanjën janë 4-2-3-1 dhe 4-1-4-1, duke krijuar një digë para mbrojtjes me Qazim Laçin, Kristjan Asllanin dhe Ylber Ramadanin.

Formacioni i mundshëm: Thomas Strakosha – Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj – Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Jasir Asani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami - Armando Broja.

Në krahun tjetër, Luis De La Fuente nuk do të rrezikojë 11-en e tij titullare duke zbritur në fushë me ekipin e stolit. Vetëm Aymeric Laporte do të luajë nga lojtarët që mposhtën Italinë, me Spanjën që zbret në fushë me 10 zëvendësues.

Zëvendësimi i liderit të mesfushës Rodri është automatik pas dy kartonëve të verdhë, të marrë prej tij në dy sfidat e para. Dy lojtarë që mund të startonin titullarë si qendërmbrojtësi Nacho dhe anësori Ayoze Perez janë gjithashtu të pasigurt për shkak të problemeve muskulare.

Martin Zubimendi është me siguri i pari në radhë për të zëvendësuar Rodrin, ndërsa lojtarë si Mikel Oyarzabal, Mikel Merino, Ferran Torres, Alejandro Grimaldo, por edhe 38-vjeçari Jesus Navas së bashku me portierin David Raya mund të jenë titullarë.

Formacioni i mundshëm: David Raya - Jesus Navas, Daniel Vivian, Aymeric Laporte, Alejandro Grimaldo - Mikel Merino, Martin Zubimendi, Baena - Ferran Torres, Joselu, Mikel  Oyarzabal.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi