Kualifikim me barazim dhe 2 pikë? Silvinjo: Luajmë vetëm për fitore me Spanjën

Nga A2 CNN
23 Qershor 2024, 19:27 | Live Euro 2024

Në konferencën për media nga Dusseldorfi, tekniku Silvinjo u pyet edhe në lidhje me një kualifikim në fazën e 1/8 me vetëm dy pikë për kombëtaren shqiptare si një nga 4 ekipet më të mira në vendet e treta.

Një barazim me Spanjën do të çonte kuqezinjtë në kuotën e dy pikëve, por për Silvinjon nuk ka kualifikim pa fitore me iberikët.

“Natyrisht siç kam thënë unë nuk kam parë asnjëherë në jetën time një trajner që shkon në fushë për të bërë një barazim. Kur luan një ndeshje e luan për të fituar. Pavarësisht nëse ke një skuadër ose jo të mrekullueshme. Por natyrisht nëse ngelen 10 apo 15 minuta të ndeshjes do të shohim se çfarë do të ndodhë. Është e vërtetë që mund të kalojmë edhe me dy pikë. Por për tu kualifikuar duhet të fitojmë ndaj Spanjës. Ne shkojmë për të fituar aty.”

Sa i përket ndryshimeve në formacion, braziliani tha se ka edhe 24 orë për të vendosur, por pranoi se e ka gati 11-shen titullarë për të sfiduar Spanjën.

“Besoj e kemi gati 11 startuese por kemi edhe 24 orë të tjera. Kemi edhe një sesion trajnimi për nesër, do të flasim me lojtarët dhe do shohim gjendjen. Do të shohim. Spanja mund të shkojë në finale, ka lojtarë shumë të mirë. Ne do të shkojmë në fushë dhe do të tentojmë me lojën më të mirë të mundur. Ata janë një skuadër e mrekullueshme edhe formacioni i dytë i Spanjës mund të fitojë. Ne duhet të mendojmë ça do bëjmë ne. Spanja ka shumë opsione mund të luajë me këtë dojë dhe kur të dojë dhe të gjithë ata  luajnë me shumë motivim. Shpresoj që të kemi një ndeshje të mrekullueshme dhe e dimë që çdo gjë mund të ndodhë gjatë këtyre 90 minutave.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos