Serbët shfaqën flamurin provokues me hartën e Kosovës në ndeshjen kundër Anglisë

Nga A2 CNN
17 Qershor 2024, 09:36 | Live Euro 2024

Serbët shfaqën flamurin provokues me hartën e Kosovës

Djegia e flamurit shqiptar pas sherrit me tifozët anglezë në rrugët e Gelsenkirchen, nuk i mjaftoi huliganëve serbë.

Në kundërshtim me rregulloren e UEFA-s, kanë futur në stadium flamurin me hartë të Kosovës dhe me ngjyra të flamurit serb, në të cilin shkruanin “Nuk ka dorëzim” në gjuhën serbe.

Ky është provokimi i radhës nga huliganët serbë, të cilët në ngjarje dhe evente të mëdha sportive shfaqin flamurin që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Gjatë 90 minutave, të cilat përfunduan me fitoren 1-0 të Anglisë, serbët për asnjë moment nuk i ndalën koret raciste "Kosova është Serbi".

Përveç provokimeve ndaj Kosovës, ata vendosën në tribuna flamurin e Rusisë, i cili u përjashtua nga të gjitha garat e UEFA-s pas pushtimit të Ukrainës.

Nga tribuna dëgjoheshin tifozët serbë duke kënduar për Kosovën, ndërsa provokimeve të tyre iu kundërpërgjigj gazetari kosovar, Arlind Sadiku, duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, teksa u kthye nga tribuna ku ndodheshin serbët.

Serbët shfaqën flamurin provokues me hartën e Kosovës

Për shkak të gjestit të Sadikut, ka reaguar zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Serbisë, Milan Vukoviç, i cili i ka dërguar një notë proteste UEFA-s me kërkesën që gazetari të dënohet.

“Kërkoj një reagim urgjent nga ana juaj, për të respektuar rregullat për anulimin e akreditimit për një të ashtuquajtur gazetar. Ai ofendoi Serbinë, tifozët serbë, poshtëroi përfaqësuesit e UEFA-s dhe mediave. E vetmja gjë që është e drejtë është që ky njeri të dënohet ashpër. Shpresoj për përgjigjen dhe reagimin tuaj sa me shpejt. Mund të shihni një video me një lëvizje të turpshme, joprofesionale dhe mosrespektuese në fushë nga një gazetar, nëse mund ta quani kështu, që ka akreditim nga UEFA. Provokimi në nivel kombëtar është aq i qartë sa nuk më duhet as të shpjegoj pse po e dërgoj këtë e-mail.”

Pavarësisht reagimit të Vukoviç, UEFA mund të nisë procedura disiplinore kundër Federatës Serbe të Futbollit për shkak të flamurit që portretizon Kosovën si pjesë të Serbisë dhe koreve raciste.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024