“Mendim i bardhë”, ky është libri i ish-futbollistit të mirënjohur Lilian Turam. Pas shkëlqimit në fushë me Monakon, Juventusin dhe Barcelonën, si edhe titujve kampion bote në vitin 1998 dhe kampion Europe në 2000-shin me Francën, Turam i është bashkuar lëvizjeve kundër racizmit, seksizmit dhe homofobisë.
Në librin e tij, që tani vjen edhe në shqip për lexuesit, ai ngre pyetje mjaft të rëndësishme. “Çfarë është të jesh i bardhë?”, “Më tepër se ngjyrë lëkure, a nuk është ngjyrë mendimi?” dhe “Cilët janë ata që e kanë shpikur e përse?”.
Libri tregon historinë e mendimit të bardhë, origjinën dhe funksionimin e tij. Mënyrën se si ai përçan, si është përhapur dhe si është bërë aq universal. Sipas Lilian Turam “prej shekujsh, mendimi i bardhë është normë, fosilizim hirearkish, skemash dominimi dhe zakonesh që na janë imponuar”.
***
Erald Kodheli: LilianThuram, nise një fushatë shumë të rëndësishme, ku flet për çështjet e racizmit, por edhe për seksizmin, homofobinë dhe problematikat e shoqërisë në përgjithësi. Sa të ndihmoi të jesh Thuram, ky lojtar kaq i madh, kampion i botës dhe Europës për të ngritur zërin rreth këtyre çështjeve shumë të rëndësishme.
Thuram: Besoj se duhet të kemi kurajën të kuptojmë që racizmi, seksizmi dhe homofobia janë pasojë e një kulture të trashëguar. Duhet që të përballemi pa frikë me këto problematika, për të edukuar më të rinjtë. Për të krijuar një shoqëri ku ka më tepër drejtësi. E pranoj që duke qenë një ish-futbollist më jep mundësinë të flas për këto çështje. Të rinjtë më dëgjojnë me më tepër kujdes, duke qenë se kam fituar kupën e botës dhe kupën e Europës, që kam luajtur në Itali e Francë. Përfitoj nga ky status i imi për t’iu thënë të rinjve se duhet të kemi kurajën të kuptojmë atë që ndodh dhe të ndryshojmë sjelljet negative që mund të kemi kundër personave me ngjyrë të ndryshme, të gjinisë apo të seksit.
Erald Kodheli: Këto kauza vijnë nga ato që ke përjetuar në të kaluarën kur luaje, apo i sheh si problematika edhe në të tashmen? A ka ndryshuar diçka?
Thuram: E Kam bërë këtë libër, sepse për fat të keq, prej moshës së vogël mbaj mënd një futbollist nga Kameruni që ofendohej nga tifozët. Kam luajtur futboll në Itali, edhe aty kishte ofendime prej ngjyrës së lëkurës. Edhe tani që nuk luaj më, këto episode përsëriten. Kemi parë me Lukakun në Itali, me Vinicius në Spanjë. Nuk kemi reflektuar ashtu si duhet. Për aq kohë sa racizmi vazhdon edhe në ditët e sotme, pas kaq shumë viteve, do të thotë se nuk është bërë aq sa duhet. Besoj se gjithsecili prej nesh duhet të reflektojë dhe të kuptojë se kjo që ndodh nuk është e drejtë.
Erald Kodheli: Ky është libri. “Mendim i bardhë” titulli në shqip, “La pensée blanche” në frëngjisht...
Thuram: Jam shumë i lumtur, sepse kam ardhur në Shqipëri të flas për këtë libër. Ndihem shumë krenar. Shtëpia botuese “Papirus” vendosi ta përkthente edhe në shqip. Libri është përkthyer në italisht, anglisht apo në gjuhën spanjolle. Duhet të them të vërtetën, kjo ishte një surprizë për mua. Jam tejet i lumtur. E falenderoj shtëpinë botuese, sepse ishte diçka që nuk e prisja. Ndihem realisht i kënaqur.
Erald Kodheli: Shqipëria ka një lidhje mjaft speciale me Francën, sepse në vitin 2016 kemi marrë pjesë në Europianin e parë në histori. Tani jemi rrugës drejt Gjermani 2024, sepse na duhet vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit... nuk e di nëse ke ndonjë urim, sepse ke mësuar edhe simbolin e shqiponjës, të cilën do e bëjmë më pas...
Thuram: Kisha një takim shumë të bukur me kryebashkiakun e Tiranës. Shpresoj shumë që Shqipëria ta marrë atë pikë që i nevojitet. Futbolli është një sport mjaft i vështirë dhe komplikuar. Nuk duhet menduar, që të mungon vetëm një pikë dhe e ke arritur objektivin. Shpresoj që Shqipëria do të jetë në Europianin në Gjermani, së bashku me Francën.
Erald Kodheli: Simbolin e shqiponjës do ta bëjmë?
Thuram: Prit të bëjmë një të madhe...
Erald Kodheli: Po, të mbajmë edhe gishtat hapur...
Thuram: aaaa... shumë e bukur..
Erald: Lilian Thuram, faleminderit....
(A2 Televizion)