Ndryshime të mëdha te Republika Çeke në prag të ndeshjes me Shqipërinë. Kapiteni i Sllavias së Pragës, 33-vjeçari Jan Boril është rikthyer në ekipin përfaqësues pas më tepër se tre vjetëve mungesë, raporton A2 CNN.
Ndeshja e tij e fundit për çekët ka qenë çerekfinalja e “Euro 2021” e humbur përballë Danimarkës. Së bashku me mbrojtësin e majtë, trajneri Ivan Hasek ka grumbulluar në skuadër edhe mbrojtësin e Sllavias së Pragës, Ondrej Zmrzly, mbrojtësin e Hoffenheim, Robin Hranac dhe mesfushorin e Viktoria Plzen, Milan Havel.
Republika Çeke do të ketë tre mungesa për sfidën me kuqezinjtë, me Rynes dhe Zeleny që janë të dëmtuar, ashtu si edhe mbrojtësi Zima që ka probleme shëndetësore.
Gjithashtu, mbrojtësi i Gironës, Ladislav Krejci nuk do të luajë në ndeshjen kundër Shqipërisë, pasi është i pezulluar me kartonë.
Ndryshimet e detyruara kanë bërë që përveç lojtarëve me eksperiencë, trajneri Hasek të marrë edhe një futbollist si Zmrzly, i cili nuk ka luajtur asnjë minutë në përfaqësuese.
Sfida ndërmjet Republikës Çeke dhe Shqipërisë do të luhet më 11 tetor, në Epet Arena të Pragës. (A2 Televizion)