Sot në mbrëmje e gjithë vëmendja është tek Kupa e Shqipërisë. Egnatia apo Kukësi? Finalja vë përballë dy ekipe që kanë luajtur me objektiva tërësisht të ndryshme këtë sezon megjithatë do të bëjnë çmos për ta bërë për vete këtë trofe. Tek Egnatia duan të përsërisin dhe një herë suksesin e një viti më parë kur për herë të parë në histori ngritën lart Kupën e Shqipërisë.
Nuk ka presion përkundrazi, tek kampi rrogozhinas tregojnë se janë gati për të bërë për vete trofeun e parë për këtë sezon.
Në anën tjetër Kukësi i rënë tashmë nga Kategoria e sheh Kupën e Shqipërisë si shpëtimin e vetëm të sezonit. Talenti i djemve të rinj dhe dëshira për të mos u dorëzuar deri në fund bën që verilindorët të besojnë për t’i shkuar këtij kompeticioni deri në fund.
Pasi eliminuan Partizanin dhe Tiranën, ekipi i Bledar Devollit do të japë maksimumin për të bërë për vete trofeun. Takimi do të luhet këtë të martë në orën 19:00 në Arenën Kombëtare në kryeqytet.
90 minuta do të vendosin gjithçka sot, por interesante është edhe organika e këtyre dy skuadrave. Tek Egnatia i gëzohen rikthimit të Ramës dhe Ibrahimoglu, të cilët kishin shqetësime dhe ishin në dyshim për këtë sfide megjithatë pas testeve dhe me stafin mjekësor, dy lojtarët janë kthyer në urdhrat e trajnerit Tetova.
Ndërkohë mungesa e vetme e rëndësishme është Albano Aleksi, i cili është i pezulluar për shkak kartonash.
Në anën tjetër skuadra e Kukësit do të jetë e plotë dhe do të luajë në fushë me formacionin më të mirë. Historia nuk është në anën e verilindorëve pasi në 4 ndeshje që kanë luajtur këtë sezon, nuk kanë asnjë fitore përballë Egnatias. (A2 Televizion)