Kjo merkato do të jetë e zjarrtë për sulmuesit kuqezi që me golat e tyre kanë bërë diferencën në klubet ku luajnë. Superforma e Rei Manaj veçanërisht në javët e fundit të kampionatit turk ka bërë që klubet europiane të shfaqin interes për të duke u kthyer në një nga emrat më të lakuar në Turqi.
Fillimisht drejtuesit e Sivassportit donin të paktën 10 mln euro për shërbimet e lojtarit por pas javëve të fundit, vlera e kartonit të tij është rritur, me klubin që kërkon deri në 15 milionë euro për sulmuesin.
Edhe pse emrat e klubeve nuk bëhen të ditura, në Turqi raportojnë se janë skuadra nga Premier Liga angleze, Seria A italiane apo Liga 1 franceze.
Një sezon tejet pozitiv për Manajn që deri më tani ka shënuar 18 gola në kampionat dhe është dalluar si një nga sulmuesit më të mirë me fanellën e Sivasspor. (A2 Televizion)