Nuk e quajnë me kot “Pazza Inter” (Interi i çmendur). Zikaltërit rekuperuan disavantazhin 3-0 në Lisbonë ndaj Benfica, për të barazuar ndeshjen në 3-3, në një ndeshje ku Kristjan Asllani luajti minuta të plota.
Ish-mesfushori i Interit, Joao Mario, shënoi 3 gola brenda 34 minutave, duke tronditur ekipin e Simone Inzaghit, i cili në këtë ndeshje kishte zgjedhur të bënte rotacion masiv.
Pjesa e parë u mbyll 3-0, por gjithçka ndryshoi në të dytën. Arnautovic, Frattesi dhe Alexis Sanchez me 11-metërsh barazuan gjithçka, ndërkohë që Barella mund të kishte bërë përmbysjen e madhe, por topi i goditur prej tij përfundoi në traversë, në minutat shtesë të ndeshjes.
Në ndeshjet e tjera, Arsenali shkatërroi 6-0 Lens, Bayern barazoi pa gola në Mynih ndaj Kopenhagen dhe Real Madrid mposhti 4-2 Napolin. (A2 Televizion)