Ç'po ndodh në Stamboll? Supersfida Galatasaray – United rrezikon të mos luhet

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2023, 17:28 | Futboll

Sfida midis Galatasaray dhe Manchester United në grupin A të Champions League, e parashikuar për të nisur në orën 18:45 në Stamboll, rrezikon të shtyhet.

Mediat turke raportojnë se sfida, nga më të rëndësishmet e sezonit për të dy ekipet është në rrezik për tu shtyrë, për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë rënë gjatë gjithë ditës në Stamboll dhe sipas meteorologëve do të vijojnë edhe në mbrëmje.

Aktualisht zyrtarët e UEFA-s janë duke inspektuar terrenin e “Rams Park” dhe pritet të marrin një vendim.

Në njoftimin e fundit për situatën UEFA tha se nuk ka asnjë pengesë që ndeshja Galatasaray – Manchester United të luhet edhe pse shiu i dendur vijon në Stamboll. Por, pamjet e fundit nga “Rams Park”, tregojnë se topi nuk ka kërcyer në tokë gjatë kontrollit të fushës së blertë.

Nuk ka ende një vendim të ri, por kontrolli i terrenit vazhdon. Sot në stadiumin e verdhekuqve pritet të jenë të pranishëm më shumë se 50 mijë tifozë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos