Milani befasoi Real Madridin duke e mundur 3-1 në shtëpinë e tij, stadiumin "Santiago Bernabeu", në ndeshjen e katërt të fazës së grupeve në Champions League. Në minutën e 12-të, Thiaw shënoi golin e avantazhit për kuqezinjtë me një goditje me kokë pas një krosimi perfekt nga Pulisic. Real Madrid u përgjigj me Vinicius, i cili barazoi rezultatin në minutën e 23-të me një penallti pas një faulli të Emerson Royal në zonë.
Megjithatë, Milani vazhdoi të luajë me siguri dhe në minutën e 39-të, Morata shënoi golin e dytë pas një topi të mbetur nga një pritje e Lunin pas goditjes së Leao-s.
Në pjesën e dytë, pavarësisht ndryshimeve të Ancelottit për të shtuar presionin, Milani mbeti i rrezikshëm. Në minutën e 73-të, Reijnders vulosi fitoren me një gol të tretë pas një pasimi të Leao-s. Edhe pse Real Madrid gjeti rrjetën me Rudiger, goli u anulua për pozicion jashtë loje të Rodrygo-s, duke vulosur kështu një fitore të rëndësishme për Milanin.
Në ndeshjet e tjera bie në sy humbja e thellë 4-1 e Manchester Cityt nga Sportingu, si dhe fitorja 4-0 e Liverpool-it ndaj Leverkusen. (A2 Televizion)