Paraja nuk garanton sukses! Ekipet që grumbulluan më tepër pikë dhe ato që shpenzuan më shumë në 2023

Nga Erald Kodhelaj
3 Janar 2024, 14:50 | Futboll

Me vitin 2024 që sapo ka nisur, mes zërave të merkatos, projektimeve për lëvizje të mëdha në afatin e transferimeve të janarit apo edhe gjatë verës së ardhshme, bëjmë një hap mbrapa për bilancin e vitit që u mbyll.

Duke nisur nga fakti se cilat ekipe grumbulluan më tepër pikë në vitin 2023 dhe që janë favorite për të dominuar në 2024-ën. Manchester City mban vendin e parë me 152 pikë të grumbulluara në vitin kalendarik. Fituesit e pesë trofeve, mes të cilëve Champions dhe Botërori për Klube ndiqen nga Real Madrid me 138 dhe Inter me 129.

Barcelona ndan vendin e katërt me Manchester United me 117 pikë, teksa befasia e bukur e Bundesligës dhe Europës, Bayer Leverkusen ka grumbulluar 115 pikë.

Për sa i takon shpenzimeve, Chelsea është klubi që investoi më tepër gjatë vitit 2023. Plotë 797,3 milionë euro në merkato, të ndjekur nga arabët e Al Hilal me 353,1 milionë ku mes afrimeve ishte edhe Neymar, si dhe Paris Saint Germain me 349,5 milionë euro.

Chelsea ka edhe blerjen më të shtrenjtë, Enzo Hernandez me 121 milionë euro. Pas tij është Declan Rice i Arsenal (116,6 mln euro) dhe sërish Blutë e Londrës me Caicedo, që kushtoi 116 milionë euro.

Gjithsesi paratë nuk garantojnë suksesin dhe këtë e konfirmoi vendi i 12-të i Chelsea në sezonin e kaluar, si edhe vendi i dhjetë në Premier League në gjysmën e parë të këtij edicioni.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos