Mesfushori Alex Král është rikthyer te kombëtarja e Çekisë dhe do të jetë i gatshëm që në sfidën e së premtes ndaj Shqipërisë.
Futbollisti, i cili luan me Kumbullën te Espanyol-i në Spanjë, ka analizuar kuqezinjtë, duke dalë në përfundimin se kombëtarja e Sylvinho-s është e “pakëndshme”, por e kalueshme nga Çekia.
“Janë një kundërshtar i pakëndshëm. Ata luajnë me shpejtësi përpara, kanë tranzicione të shpejta. Ne gjithashtu e pamë këtë në ndeshjen e tyre ndaj Ukrainës, kjo është diçka për të cilën duhet të kemi kujdes. Por mendoj se padyshim, ata janë një kundërshtar i kalueshëm”, tha mesfushori i Çekisë.
Ai mungoi në Europian dhe tashmë kërkon të lërë gjurmë për t’u kthyer në një pikë referimi në mesfushë.
“Çdo lojtar dëshiron të jetë në Europian, pasi është një turne i madh dhe një kujtim i bukur kur sheh pas në atë që ke bërë gjatë karrierës. Nga pikëpamja ime më vinte keq, por e kam përjetuar shumë pozitivisht këtë kthim në radhët e përfaqësues dhe e prisja me padurim pasi jam i lumtur këtu”, tha mesfushori. (A2 Televizion)